Recep Tayip Erdogan ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale, që e bëjnë atë të parin kryetar shteti me pushtet ekzekutiv në historinë e Turqisë. Erdogan ka deklaruar se ka siguruar 53 për qind të votave, kuotë që i mundëson atij shmangien e raundit të dytë.
Recep Tayip Erdogan nuk ka pritur përfundimin e numërimit dhe ka shpallur fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të mbajtura këtë të diel në Turqi. Erdogan ka deklaruar se shumica e votave të numëruara tregojnë se ai e ka fituar garën përballë rivalit të opozitës Muharrem Ince, me 53 kundër 31 për qind të votave.
Duke cituar shifrat, Erdogan ka nënvizuar se nuk është nevoja që procesi elektoral të shkojë në një raund të dytë. Nga ana e saj, opozita i konteston shifrat e publikuara nga mediat shtetërore dhe ka ngritur akuza ndaj pushtetit për manipulime. Por Erdogan ka pretenduar edhe fitoren e partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim në zgjedhjet parlamentare.
Ai e shpalli fitoren kur ishin numëruar 96 për qind e votave dhe PAK udhëhiqte me 43 për qind, e ndjekur nga partia opozitare Republika e Popullit me 23 për qind. Ndërkohë, partia pro-kurde HDP ndodhej pranë 10-përqindëshit, që është dhe kuota e nevojshme për të hyrë në Parlament. Një gjë e tillë mund të vështirësojë pozitat për mazhorancën e Erdogan.
Ndërkohë, pjesëmarrja në votime, sërish sipas mediave shtetërore, ka qenë në kuotën 87 për qind. Gjatë së dielës, policia turke arrestoi disa persona pranë qendrave zgjedhore, të konsideruar të dyshimtë. Mësohet se tre prej tyre, shtetas italianë, janë liruar. Dy proceset zgjedhore fillimisht ishin parashikuar të mbaheshin në Nëntor 2019, por u afruan me nismë të presidentit Erdogan, që me referendumin e dy viteve më parë është më i pushtetshëm se kurrë./abcnews.al