Shqipëria në “ajër”, Reja: Shumë lojtarë në pikëpyetje, futbolli pa tifozë jo natyral

schedule11:24 - 7 Nëntor, 2020

schedule 11:24 - 7 Nëntor, 2020

Shqipëria luan më 11, 15 dhe 18 nëntor kundër Kosovës, Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Trajneri Edy Reja ka shpallur listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion, gjatë konferencës për shtypin që organizon Federata Shqiptare e Futbollit. Më pas ai edhe i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

SITUATA – “E dini që kemi pasur probleme, prej virusit, apo edhe për dëmtimet, si Mihaj, Strakosha, Bare, Çekiçi, Lenjani, Roshi, Vrioni, Kamberi, Mersinaj, Kamberi. Janë disa lojtarë që nuk do t’i kemi. Edhe Trashi është në pikëpyetje, sikurse edhe Vrioni. Gjasulën e presim. Ai luan të hënën dhe të martën do të shohim a do të vijë. Do flasim sërish në lidhje me listën në vijim”.

“Personalisht kam folur me klubet italiane, edhe presidenti është munduar. Normalisht jam i shqetësuar për këtë situatë dhe për problemet që kemi me klubet. Në Itali mund të na nxjerin probleme, atje kanë rregulla të veçanta. Është një probleme i përgjithshëm që e kanë të gjithë. Kemi tre ndeshje tani, dy zyrtaret janë shumë të rëndësishme dhe do doja t’i kisha të gjitha. Deri të martën do të mund të kuptojmë se cilët do të jenë pjesë e kombëtares. Kam besim se do kemi lojtarët më të mirë në dispozicion”.

 

“Donim të merrnim 4 pikë në dy ndeshjet e fundit, por morëm vetëm dy. Kishim raste, por nuk shënuam. Për dy takimet e radhës, objektivi është t’i fitojmë pavarësisht problemeve që kemi me lojtarët. Synojmë vendim e parë dhe i kemi mundësitë t’i marrim pikët e duhura. Do japim maksimumin”.

“Sa i takon tifozëve, kam parë edhe në Itali dhe duket sikur janë miqësore. Nuk është një futboll natyral pa publik. Në ndeshjet brenda ndihet mungesa e tifozëve. Ky është realiteti dhe duhet të mësohemi me të. Shpresoj të mos na krijojë probleme mungesa e tifozëve”.

“Në ndeshjet e fundit kemi bërë disa prova. Pamë Brojën, e pamë në fushë dhe tani edhe me klubin po luan mirë. Kemi parë edhe Kallakun. Ndeshja me Kosovën do më shërbejë për të parë grupin. Kosovën nuk e nënvlerësojmë, është ekip shumë kompetitiv. Ka rëndësi për ne si ndeshje, pasi mund të shoh ndonjë lojtar, të bëj disa prova. Shqetësimi im është që të shoh të gjithë lojtarët që do të kem në dispozicion. Do kem vetëm një ditë për ta përgatitur”.

“Nuk e shoh me vend krahasimin e vitit 2018, për atë që ndodhi pas ndeshjes me Kosovën. Shqetësimi im mbetet që të kem lojtarët në dispozicion. Dy ndeshjet zyrtare kanë më shumë rëndësi, pa nënvlerësuar Kosovën. Duhet të bëjmë paraqitje sa më të mira dhe të marrim rezultate pozitive”.

“Skema? Edhe mund të ndodhë që të ndryshojë. Nëse do të kemi mungesa në mbrojtja, mund të lëvizim. Varet nga lojtarët që do të kemi në dispozicion. Nëse ndonjë nuk vjen për shkak se bllokohen nga klubet. Veseli, Ismajli dhe Gjimshiti kanë dhënë “OK”, Trashi është në pikëpyetje. Për Hysajn duhet të presim, kurse Gjasulën mund të mos e llogaritim për Kosovën. Skema bëhet nga trajnerit, por varet nga lojtarët. Moduli ka funksionuar, por nuk kemi shënuar. Dua që të dalim sa më shumë nga krahët. Kam përdorur shumë module, por duhet kohë. Lojtarët janë përshtatur me 3-5-2 dhe më janë përgjigjur mirë. Shqetësimi im është që të kem të gjithë lojtarët në dispozicion.”.

LISTA – Për shkak të situatës aktuale, lista mund të pësojë ndryshime dhe në listën e pritjes është edhe mbrojtësi Marsel Ismajlgeci. Jashtë mbeten tre mbrojtës, Jon Mersinaj, Enea Mihaj dhe Kastriot Dermaku, të tre të dëmtuar, ndërkohë rikthehet Ardian Ismajli. Të dënuarit, edhe pse jo zyrtarisht,  Hysaj, Balaj dhe Cikalleshi janë rikthyer sërish në kombëtare, sikurse në listë janë edhe emra si Gjasula e Selahi, që nuk ishin në grumbullimin e fundit.

Roshi, Bare, Kamberi dhe Strakosha nuk do të jenë për këto tre ndeshje. Dy të parët janë të dëmtuar, kurse Kamberi i infektuar me COVID-19. Sa i takon portierit, për të situata ka qenë e paqartë kohët e fundit, pasi ka dalë herë pozitiv e herë negativ. Bie në sy edhe mungesa e Armando Sadikut./abcnews.al

LISTA E LOJTARËVE TË FTUAR NË KOMBËTARE PËR MIQESOREN ME KOSOVËN DHE NDESHJET KUNDËR KAZAKISTANIT DHE BJELLORUSISË

Portierë: Etrit Berisha, Alban Hoxha, Marco Molla

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Lorenc Trashi, Ramen Çepele, Hysen Memolla, Frederic Veseli, Albi Doka, Ardian Ismajli

Mesfushorë: Ledian Memushaj, Lindon Selahi, Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Sherif Kallaku, Enis Çokaj

Sulmues: Bekim Balaj, Armando Broja, Rey Manaj, Giacomo Vrioni, Taulant Seferi, Myrto Uzuni, Sokol Cikalleshi

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!