“Na ruan Zoti se për Edi Ramën ne ikëm”, Basha takim me pensionistët në Tiranë

schedule13:49 - 6 Nëntor, 2020

schedule 13:49 - 6 Nëntor, 2020

Lideri i opozitës Lulzim Basha, ka zhvilluar takime me pensionistët në Tiranë.

Basha shprehet se pensionistët në këtë kohë pandemie janë harruar nga qeveria.

“Qeveria i ka mundësitë të rimbursojë ilaçet, për anti-covid për të moshuarit. Si ka mundësi që më të rrezikuarit ndaj kësaj sëmundje t’i lësh në mëshirë të fatit. Kjo do të thotë t’i dënosh me vdekje”, tha Basha.

Gjithashtu pensionistët kanë ngritur shqetësimin e tyre, ndërsa janë shprehur se pagat janë shumë të ulëta dhe se në këtë situatë pandemie e kanë të pamundur t’ja dalin të vetëm.

“Ne na ruan Zoti se për Edi Ramën ne ikëm. Jam vetëm fillikat. Si t’i realizojmë shpenzimet që na duhen për ilaçe”, tha një nga pensionistët.

Sakaq Basha, kritikoi kryeministrin Edi Rama për keqmenaxhim të situatës së pandemisë.

“Paratë e taksave tuaja i transferon tek xhepat e miqve të vet. Kam një kërkesë që e kam përsëritur dhe vazhdoj ta përsëris që të zgjidhë thesin për qytetarët. Duhet të merren urgjentisht masat sepse me këto ritme infeksionesh nuk ka më kapacitete për të sëmurët.

E gjithë vëmendja, buxheti i shtetit duhet të jetë përqendruar për të ndihmuar qytetarët, faji për shumë jetë që po humbin për shkak të mbingopjes së kapaciteteve të spitaleve është i Edi Ramës.

Ai po tallet me jetët e njerëzve dhe kjo po na kushton shëndet. Edhe sa jetë duhet të humbin që njeriu që ka përgjegjësi të ndihmojë qytetarët. Duhet urgjent t’i japin fund kësaj. E kam ngritur dhe do ta ngre zërin ditë për ditë.

Dua që të gjithë së bashku të bëhemi bashkë. Në 25 prill do ta largojmë të keqen dhe do ta ndihmojmë Shqipëri. E ardhmja duhet t’i takojë të gjithë shqiptarëve , jo vetëm një grupi njerëzish”, tha Basha./i.k.,/abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!