Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shtyrë seancën për ish-gjyqtaren e Gjykatës së Lartë Arjana Fullani. KPA ka vendosur që vendimin për ish-gjytaren Fullani ta shpallë më 11 nëntor.
Vendimi i KPK i datës 23 korrik të vitit të kaluar vendosi që Fullani për 15 vite të mos ushtronte asnjë funksion në drejtësi.
Fullani e ankimoi pjesërisht vendimin që e përjashton për 15 vite, por jo mbarimin e mandatit të saj si magjistrate.
Gjatë seancës së sotme, trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ka legjitimuar avokaten për përfaqësimin e Fullanit, Evelina Qirjakon.
Avokatja Qirjako është shprehur se është ankimuar pika e dytë e vendimit të KPK, që zonja Fullani nuk mund të emërohet për 15 vite në drejtësi.
Sipas saj, KPK ka kryer shkelje procedurale në vendimin e dhënë për Arjana Fullanin.
“8 muaj pasi zonjës Fullani i kishte mbaruar mandati si antare e Gjykatës së Lartë, marrim vesh në mënyrë informale se KPK kishte nisur procedurën e rivlerësimit për Zonjën Fullani. Pas një pauze 6 mujore KPK i kërkoi KLGJ, një letër për të përcaktuar mbarimin e statusit të magjistratit për anëtarët e Gjykatës së Lartë të cilëve u kishte mbaruar mandatit.
KLGJ thotë që zonja Fullani ka hequr dorë nga emërimi në Gjykatëne Apelit dhe për këtë arsye, deklarojnë të mbaruar mandatin e magjistratit për Arjana Fullanin. Ne nuk ishim informuar nga KPK kush janë anëtarët e trupës gjykuese, dhe s’na kanë vënë në dijeni as për hetimin administrativ që ata kishin kryer”, u shpreh Evelina Qirjako.
Ndërsa vetë ish-Gjyqtarja Arjana Fullani u shpreh:
“Përpjekja për ti shkuar deri në fund ndryshimit të vendimit të KPK nuk ka të bëjë aspak me faktin për të ju shmangur vettingut, pasi ligji parashikon se asnjë ish-gjyqtar dhe ish-prokuror s’mund të jetë pjesë e Gjykatave apo KLGJ dhe KLP pa kaluar më parë vettingun.
Sanksioni prej 15 vjetësh për të mos patur të drejtën për të mos aplikuar për pozicione të caktuara, më është kthyer në vështirësi të madhe në jetën e përditshme për shkak të paragjykimit. Pasi mua më cilësojnë si të papërshtatshme për të ushtruar detyra si juriste”.
n.d./abcnews.al