Twitter, Facebook, Google masa kundër keqinformimit në ditën e zgjedhjeve

schedule08:41 - 4 Nëntor, 2020

schedule 08:41 - 4 Nëntor, 2020

Ndërsa votuesit amerikanë presin rezultatet që do të përcaktojnë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm, Twitter, Facebook, Google do të monitorojnë  faqet e  tyre dhe marrjen e vendimeve për të përcaktuar se cilat postime janë pjesë të fushatave të keqinformimit.

Menjëherë pas fillimit të pandemisë së koronavirusit, kompanitë filluan të trajtonin më seriozisht dezinformimet në lidhje me krizën shëndetësore, thonë vëzhguesit, dhe përdorën mënyra të ndryshme për të monitoruar përmbajtjen, si inteligjenca artificiale.

Këto praktika tani po përdoren në përpjekjet për të trajtuar dezinformimin që lidhet me zgjedhjet, tha Spandana Singh, një analiste e politikave në Institutin e Teknologjisë së Hapur të Amerikës së Re.

Tani që janë më të gatshëm për të trajtuar dezinformimin, firmat e teknologjisë po manovrojnë në një rrugë të ngushtë dhe të ndërlikuar: të marrin hapa për të ndaluar përhapjen e dezinformatave në lidhje me zgjedhjet apo të lejojnë njerëzit që të shprehin mendimet dhe pikëpamjet e tyre, pavarësisht nëse ato janë të vërteta apo gënjeshtra.

A janë ata të gatshëm?

Spandan Singh thotë se kompanitë e internet po etiketojnë disa përmbajtje që janë të debatueshme dhe, në disa raste, “duke i nënvlerësuar përmbajtjet përmes algoritmeve”, tha ajo.

Por është e pamundur të dihet se sa të përgatitur janë firmat e internetit për ditën e zgjedhjeve, thotë ajo.

“Për shkak se ato nuk ofrojnë shumë transparencë dhe përgjegjësi rreth përpjekjeve të tyre dhe çfarë ndikimi kanë këto përpjekje, është me të vërtetë e vështirë të kuptohet nëse ato (firmat) janë vërtet të gatshme”, tha ajo.

Masa emergjente

Twitter ka filluar t’i etiketojë disa postime që përmbajnë fakte të dyshimta rreth çështjeve zgjedhore dhe ka thënë se kandidatët nuk do të lejohen të bëjnë postime në të cilat pretendojnë se kanë fituar zgjedhjet para shpalljes së rezultateve.

Facebook tha se mund të përdorë të ashtuquajturën “alternativë urgjente”.

Kompania nuk e ka shpjeguar me hollësi se çfarë nënkupton kjo. Por Wall Street Journal raportoi se kompania mund të kthehet në masa të marra në Sri Lanka dhe Mianmar, si çaktivizimi i mesazheve në lidhje me informacione të rreme rreth rezultateve të zgjedhjeve ose ndalimin e postimeve virale që përhapin mesazhe dhune ose lajme të rreme.

Një problem me keqinformimin në internet është se ai mund të përhapet gjerësisht, para se mediat sociale, të cilat janë gjithashtu të ndjeshme ndaj pretendimeve se po censurojnë disa pikëpamje, të vendosin të veprojnë, thotë Shannon McGregor, profesore në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill.

Ndërsa votuesit amerikanë vendosin mbi drejtimin e ardhshëm të vendit, zgjedhjet e së martës janë një tjetër test për të parë nëse mediat sociale po e ndihmojnë apo po e dëmtojnë procesin demokratik./abcnews.al