Qytetarët shqiptarë janë të ndarë mes Donald Trump dhe Joe Biden. Për mikrofonin e ABC-së ata japin mendimet e tyre dhe i argumentojnë se përse zgjedhin njërin apo tjetrin. “Nuk jam për Trump-in, nuk më ka pëlqyer në të gjitha bisedat, është si puna e Edi Ramës, gallof ky, gallof ai. Ai tjetri ka më shumë premisa” tha një qytetar, ndërsa shtoi se është gruaja ajo që e ndjek më shumë fushatën në Amerikë. “Unë e ndjek me intervale, se jam sportist dhe ndjek gjithmonë lajme sporti. Gruaja e ndjek më shumë”.
Një tjetër qytetar fillimisht ngre supet, por më pas bën zgjedhjen e tij. “Nuk merrem me politikë. Trump? Për ne me mirë është nuk na ka bërë ndonjë gjë të keqe. Trump mendoj se do të fitojë se ai ka punuar për Amerikën. Ai i paguan njerëzit për karantinën. Se unë kam vajzën në Amerikë. Ndaj them se është njeri i mirë dhe jo njeri i keq”. Ndërsa për Biden thotë se nuk e njeh. “Po ku e njoh unë atë”.
Një tjetër qytetar durrsak tregon edhe përse i duhet mandati i dytë Trumpit. “Unë preferoj Donald Trump sepse ka bërë shumë punë dhe ka hequr papunësinë e ka ulur shumë dhe është i prerë në muhabetet që bën, kur e thotë e bën dhe sipas standardeve të Amerikës, del se amerikanët vetë, ka bërë shumë punë për amerikanët. Mandati i dytë do të jetë për Europën dhe vendet që na rrethojnë. Biden, kanë më shumë gjëra jo konkrete, shumë llafe dhe më pak punë”.
“Nuk merrem se nuk më intereson. Nuk kam mendim personal se nuk i njoh, nuk mund të flas vetëm nga televizori. Unë dua të jetë sa më normal, jo si Ramsi” tha një tjetër. “Në bazë të lajmeve që i shoh në televizor jam për Biden. Kështu është ajo punë se edhe ai ka ndenjur 8 vite dhe ndoshta duhet të fitojë ai (Biden). “U mësuam me Trumpin tani” ishin disa nga prononcimet e qytetarëve.
Në Dibër qytetarët mendojnë se do të fitojë Joe Biden dhe jo Donald Trump. “Unë mendoj që ai që punon ai fiton. Nuk mund të ndërhyj. Premtimet jepen por asgjë nuk bëhet. SHBA dhe të gjithë të përdorin gjuhën e paqes dhe jo urrejtjes. Unë nuk e dua luftën. Populli shqiptar nuk do luftë” tha njëri.
Një tjetër u shpreh se “Për mua kam qejf Cliton se çliroi Kosovën në ’99. Nuk dua Trump, por ky i dyti (Biden). S’e e ka gruan e re, nuk është për atë familje. Për Biden jam shumë dakord. Familjen e Biden e kam parë përmes emisioneve”.
Ka edhe nga ata që e akuzojnë Donald Trump për përhapjen e Covid-it. “Biden, se ai është me popullin tamam. Trump nuk është me popullin. Me Trump nuk kemi interes ne, se shfaqi acarime me kinezin dhe Covid-in, sebep Trumpit u bë Covid-i dhe është duke u shfarosur krejt bota”.
“Ne jemi mirënjohës për Amerikën se na ka mbështet në kohën më të vështirë. Ne jemi një vend i vogël. Më me logjikë është Biden. Ky (Trump) thonë që ka rritur ekonominë amerikane”.
“Mendoj se do i fitojë Trump. Ai është për popullin, nuk bën dallime racore. E ndihmon popullin. Ai është njeri dmth tamam”. “Mendoj se fiton Biden, jo Trump. Por nuk besoj se do të jetë më i mirë për shqiptarët”. “Trumpi jo. Ai tjetri. Se Trump nuk është sjellë mirë”.
Por ka edhe nga ata që mendojnë se cdo gjë është e paravendosur. “Nuk ka zgjedhje as në Amerikë as në Shqipëri. Zgjedhjet i fiton trapi, edhe në Shqipëri do të vihet Luli, Edi Rama nuk është më. Nuk ka zgjedhje, por të emëruar nga lordët e mëdhenj. Se mua ma kanë thënë njerëz me men, është rrotacion politik në SHBA, edhe 4 vite ke trapin atje. Edhe këtu Edi Rama nuk është më”.
Në Vlorë, qytetarët janë të ndarë për zgjedhjet në SHBA, me një epërsi të lehtë në favor të Joe Biden. Pjesa më e madhe e të intervistuarve mendojnë se duhet të ketë rrotacion, ndërsa të tjerë shprehen se Trump duhet të qëndrojnë në drejtimin e Shtëpisë së Bardhë edhe një mandat.
“Fiton më i miri. Fiton Biden. Është i majtë dhe Amerikën di ta nxjerrë nga situata ku e ka futur Trumpi, më falni trapi”. “Ka mundësi t’i fitojë ai i riu (Biden)”. “Biden se ai është me brazilianët”. “Rrotacionet janë të mira, sa më shumë të ketë aq më shumë zhvillim ka, duhet të fitojë Biden. Edhe të mësuar ishim me Enverin, por pësuam defekt të madh, e paguam më pas. Disa breza do ta paguajnë nga pasionet e Enverit. Duhet të ndryshojë edhe në Amerikë dhe tek ne.
Ai që vjen pas atij që është në pushtet do të bëjë dicka më të mirë që të duket puna e tij, e kështu me radhë. Duhet të fitojë Biden dhe të ndryshojë këtu te ne” tha një tjetër qytetar.
Por ka edhe mbështetës të Trump. “Ma ka qejfi ta fitojë Tramp, sikur u mësuam me atë, këtë tjetrin nuk e njohim. Nuk e dimë a ka bërë mirë për Shqipërinë, nuk na tregojnë”.“Trump do i fitojë se ka pasuri, fabrika dhe uzina, ka paranë dhe gjithë ata nëpunësa, me dhëndurë dhe lloj lloj njeriu. Lëre Biden, se ai fle gjumë”./ db/Abcnews.al