Tirana e ka nisur sezonin e ri me humbje në finalen e Superkupës kundër Teutës, ndërkohë që në arenën ndërkombëtare u ndal në fazën play-off të Europa League, pa mundur të shkojë në fazën e grupeve.
Nesër bardheblutë luajnë në Kupë kundër Shkumbinit dhe para kësaj sfide ka dalë para mediave trajneri Emanuel Egbo dhe mbrojtësi Erjon Hoxhallari. Ky i fundit iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të gazetarëve.
Mbrojtësi i bardhebluve fillimisht u pyet se si është të rikthehen në garë pas kësaj periudhe pauze: “Besoj se do të jëtë disi e vështirë në fillim, por ndeshjet e Europës dhe miqësoret na kanë ndihmuar shumë. Normalisht aktiviteti nuk ka munguar”.
Problem më vete do të jetë ngjeshja e kalendarit: “Ne si lojtarë jemi të kënaqur që do të fillojë futbolli. Vështirësi ka sepse do të jetë një kalendad i ngjeshur dhe siç e përmendi trajneri e nisim me 3 dëmtime. Shpresojmë që nga intensiteti i sezonit të mos kemi dëmtime të tjera”.
Çfarë mendon Hoxhallari për Tiranën e këtij sezoni: “Këtë vit sfida është më e madhe, pasi detyra e ruajtjes së titullit është edhe më e vështirë. Koha do ta tregojë si është Tirana këtë vit. Besoj se edhe lojtarët e rinj duan kohën e tyre të konsolidohen me ekipin dhe të tregojnë veten”. / abcnews.al