Presidenti i Lega Serie A, Paolo Dal Pino, ka paralajmëruar se futbolli është shumë pranë një katastrofe ekonomike. Numri i lartë i rasteve me koronavirus në ditët e fundit në Itali ka prekur edhe futbollin, pasi janë shtyrë disa ndeshje në Serie B. Kësaj i shqetësohet edhe presidenti, i cili thekson se nëse nuk merren masa kampionatet rrezikojnë pezullimin ashtu si në muajin mars.
“Para së gjithash futbolli është një industri argëtimi global. Futbolli në Itali është një fenomen që bën bashkë 30 milionë njerëz. Ai nuk është vetëm i përbërë vetëm nga yjet në fushë apo pagat shumë milionëshe, por përfshin edhe 300.000 punëtorë të tjerë. Futbolli ka një gjuhë universale, por është shumë pranë një katastrofe ekonomike”, deklaroi Dal Pino për “Corriere della Sera”.
“Deri më tani ekzistojnë tre zgjidhje të mundshme. E para është dëmshpërblimi për dëmet e pësuara për shkak të masave kufizuese të vendosura nga qeveria. E dyta është bashkëpunimi me Ministrat sepse ne ende nuk jemi ulur në një tryezë për të reformuar ligjet e sporteve. I ftoj ata në një takim.
Ndërsa opsioni i tretë është që politika t’i kushtojë vlerës që siguron futbolli, pasi ata as nuk mund ta imagjinojnë diçka të tillë. Në Itali ai përfaqëson një element të madh shoqëror dhe është një mënyrë komunikimi”, përfundon presidenti. /abcnews.al