Mesfushori i Interit, Christian Eriksen, ia ka lënë fajin Antonio Contes se përse ai nuk po luan rregullisht tek zikaltrit. Fantazisti ishte i ftuar në një event nga Federata Daneze e Futbollit, ku zhvilloi një bashkëbisedim me tifozë.
Njëri prej tyre e pyeti se përse ai po luan pak nën drejtimin e Contes, por ish-ylli i Tottenham e kishte përgjigjen gati. “Kjo pyetje duhet t’i bëhet trajnerit. Telefonojeni dhe flisni me të sepse është Conte që i merr vendimet. Në futboll ka gjithmonë ulje dhe ngritje, ku përjashtim bëjnë vetëm disa që vetëm kanë ngritje në karrierën e tyre”, deklaron Eriksen.

“Është më mirë të mos mendoj rreth kritikave sepse të gjithë kanë të njëjtin mendim. Sidomos tani që luaj në Itali, ku të gjithë mendojnë njësoj. Unë dua të besoj vetëm personat që kam pranë vetes dhe të mos dëgjoj asnjë tjetër.
Rikthimi te Odense? Nuk e përjashtoj. Në fund të fundit ne kemi blerë një shtëpi atje dhe unë mund ta mbyll karrierën time atje, sigurisht nëse drejtuesit më duan”, përfundon mesfushori. /abcnews.al

