Liga Profesioniste e Futbollit ka dalë me një deklaratë dhe bën me dije se Kategoria Superiore do të nisë të mërkurën me përballjet e javës së parë, ndërkohë që edhe argumenton vendimin e marrë për ndërprerjen e bojkotit që kishte nisur që në fillim të muajit shtator.
QËNDRIMI I LIGËS – Liga Profesioniste e Futbollit vendosi ditën e sotme për nisjen e aktivitetit futbollistik të Kategorisë Superiore për edicionin 2020-2021. Presidentët janë informuar për ecurinë e mëtejshme të procesit dhe arritën në konkluzionin se bojkoti ka arritur qëllimin e tij, duke sensibilizuar qeverinë dhe opinionin publik për rëndësinë jetike që kanë këto ndryshime ligjore për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti.
Për këtë arsye, si dhe për të ndihmuar futbollistët të cilët kanë sakrifikuar në këtë periudhë, vendosën unanimisht fillimin e edicionit futbollistik me Kupën e Shqipërisë ditën e diel dhe javën e parë të Kategorisë Superiore të mërkurën.
SFIDAT E PARA– Të mërkurën do të luhen ndeshjet e para të këtij sezoni në Superiore, teksa bie në sy përballja Tirana-Kukësi. Për t’u parë është edhe Teuta-Skënderbeu e Bylisi, Laçit, ndërkohë që Vllaznia shikohet si favorite ndaj Apolonisë. Takim tjetër në program për të mërkurën është edhe sfida Kastrioti-Partizanit, që do të zhvillohet në Kamzë. /abcnews.al
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 1
Tirana-Kukësi
Teuta-Skënderbeu
Vllaznia-Apolonia
Bylisi-Laçi
Kastrioti-Partizani


