Vdekja e 53-vjeçarit në QSUT, Rakacolli në Abc News: Po hetohet, çështjes do i shkohet në fund

schedule20:23 - 28 Tetor, 2020

schedule 20:23 - 28 Tetor, 2020

Për të folur më shumë për situatën epidemiologjike në vend, ndërsa numri i të infektuarve në vend vijon të rritet, në Abc News me gazetarin Endri Xhafo ishte zv/ministrja e Shëndetësisë dhe njëherësh, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli.

Ndër të tjera, Rakacolli shpjegoi se pse nuk është bërë ende e mundur heqja e tamponit të negativizimit edhe pse rekomandohet nga OBSH.

Sipas zv/ministres, që tamponi i negativizimit të hiqet duhet të përgatitet një raport i detajuar, pasi nuk mund të bazohemi vetëm nga një fjalë e vetme.

Lexo edhe: COVID 3/ Rakacolli: Do jenë funksional 50 shtretër, gati stafi mjekësor, 80 infermierë në trajnim

“…Ky është një qëndrim i kohëve të fundit të OBSH si dhe Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Njohuritë tona kanë ardhur duke u pasuruar. Edhe këtu ka disa kushte që lidhen nga ditët e fillimit të simptomave. Duhet diçka e detajuar.”

E pyetur nëse fëmijët në shkolla janë shpërndarës të mirë të virusit, Rakacolli pohoi, por shtoi se shkolla nuk është vendi i vetëm ku ata mund ta marrin virusin.

“Janë shpërndarës, është e ditur. Nuk është vetëm shkolla vendi i vetëm ku merret virusi.”

Ndërsa, sa i përket mundësisë së mbylljes së shkollave, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve u shpreh se do të vijohet në përputhje me situatën epidemiologjike në vend.

“Gjithçka shkon në përputhje me situatën. Nuk mund të parashikojmë. Nëse qëndrojmë në këto numra, nuk ka pse të mbyllen shkollat.”

Sa i përket letrës së dërguar nga presidenti në drejtim të ministres Ogerta Manastirliu, Rakacolli u shpreh se kreu i shtetit do ta marrë përgjigjen në mënyrë institucionale, ashtu si çdo qytetar tjetër që kërkon të informohet.

Kurse, e pyetur në lidhje me rastin e Lutfi Çekirrit që humbi jetën në QSUT pasi nuk iu dha kujdes shëndetësor, Mira Rakacolli theksoi që do të bëhet një hetim i thellë dhe se kësaj çështjeje do t’i shkohet deri në fund. s.b/abcnews.al/