Diego Armando Maradona feston 60-vjetorin e lindjes ditën e premte (30 tetor) dhe në Argjentinë do shoqërohet me aktivitete të shumta përvjetori i idhullit dhe krenarisë së popullit. Megjithatë, legjenda e futbollit botëror është futur në karantinë.
Goal raporton se një ndihmës i tij te Gimnasia de La Plata, skuadër që e drejton prej shtatorit të vitit të kaluar, ka shfaqur simptoma koronavirusi dhe kjo gjë ka ndikuar që Maradona të izolohet. Ai mund të mos drejtojë nga stoli skuadrën në sfidën e së premtes.
E njëjta situatë edhe për Marcelo Gallardo, trajnerin e River Plate. Një mik i tij ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe trajneri, i cili ka qenë në kontakt me të ditën e fundit, është detyruar të nisë karantinën. /abcnews.al