Nga Linda Karadaku
Gazetarja e “Abc News“, Linda Karadaku ka siguruar ekskluzivisht dëshminë e një burri të dhunuar seksualisht nga ushtria serbe në Kosovë gjatë luftës. Burri në fjalë tregon tmerrin e përjetuar dhe fjalët e serbëve kur u kërkoi që ta vrisnin. “Unë duke bërtitur, duke qarë, me lot, katastrofë, duke e lutur, për hir të Zotit…vramëni…. Thashë, vramëni, tha, jo jo, kështu për së gjalli kemi për të të vrarë ne” rrëfen ai.
Tashmë ai tregon jetën e re, pasi ka krijuar familjen, por makthet e së shkuarës është e pamundur që t’i harrojë. Në fund ai akuzon shtetin se nuk ka bërë asgjë për këtë kategori. 867 persona, prej tyre 838 janë femra dhe 29 meshkuj, kanë fituar statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës. Në Komisionin Qeveritar të Kosovës për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale kanë aplikuar 1329 veta.
Dëshmia e plotë për emisionin “Ballkan” në Abc News
Si je?
Mirë
Me çfarë merresh tani? Ke familjen tënde, ke fëmijët e tu?
Po po, kam familje, të gjitha i kemi.
Çfarë ka ndodhur me ty gjatë luftës?
Gjatë luftës, më kujtohet një datë e veçantë, që nuk e harroj kurrë, isha me ble diçka në qytet, edhe dola nëpër qytet, tek një rrugë aty, ku ka qenë një postbllok I serbëve, kanë qenë disa ushtarë. Nga larg thashë, të shkoj a të mos shkoj, po dikur mora fuqi e thashë, hajt se po shkoj. Ndoshta nuk më prekin. Para se me shku aty, e kam pa, e kanë ndalë një makine, edhe aty kanë qenë disa djem të rinj, i kanë kapë, i kontrolloshin, i shtyjshin. Unë mendova, hajt të iki nga qoshja e të kaloj diqysh. Por papritmas, ma ka bo një serb që ishte në tesha të ushtrisë, ndalu. Unë u ndala, edhe e kam pasë një ciger, ne i themi ciger, diçka kisha në atë farë cigerin, edhe ma boni ndalu aty. U ndala unë dhe më tha, ma jep leje njoftimin.
Ia tregova lejen dhe tha, ku je tuj shku. I thashë, jam duke shku të blej disa gjëra dhe po kthehem në shtëpi. Tha, prit t’i shoh duart. Kur ia tregova duart, tha, ti je ushtar. Jo mor, i thashë. E kishte kapë lufta në tana anët. Po ne kishim mbetë, disa familje kishim mbetë pa mujtë me dalë në Shqipni, askund. Ka ardhur pastaj edhe një shok i tij dhe i tha atij, merre, vraje. Merre vraje, tha, mos fol me të, merre vrite, ky qenka ushtar, tha, merre vrite. Edhe ka qenë një livadh aty, në atë livadh ka qenë një shtëpi, jo e mbarume, ka qenë vetëm deri në blloqe, pa çati, edhe më tha, çoje deri tek ai vend aty, dhe unë frikësohesha se nuk dija gjë, me siguri, thosha, duan të më vrasin se i tha, vrite, në serbisht, po tash serbisht nuk po flas. Edhe më kanë çuar deri në qosh të asaj shtëpie. Kur shkova aty, tha, lëre cigerin këtu…
Çfarë është cigeri?
Ciger i themi sendit që bartim sende kur i blejmë në shitore…
Trasta, çantë…
Po si çantë, ka qenë e bardhë. Tha, lëre këtu në qosh, e lashë unë atë në qosh, edhe u afrova, njëri e kishte automatikun dhe e drejtonte nga unë, kurse tjetri, tha, çfarë të bëj me të, tjetri tha, zhvishe. Zhvishe, tha.
Hiqja rrobat…
Hiqja rrobat. Unë mendova se tani që thanë, hiqja rrobat, duan të më bëjnë ndonjë masakër, siç dëgjoja që ndodhte në luftë me disa familje, dhe tha, hiqja rrobat. Unë nuk desha t’i hiqja, dhe i thashë, çfarë kam bërë more unë, dhe vetëm e di se ka ardhë dhe më ka rënë nga mbas shpine. M’ka rënë bash ai tjetri që kishte automatikun, m’ka rënë dhe m’ka rrëzuar. Unë jam çuar pastaj, m’ka thanë pastaj çohu, nuk po flas serbisht se ngapak edhe e di serbishten, edhe m’ka thanë çohu. Dhe kur jam çuar unë aty, m’tha, hiqi pantallonat ose të vrava. I kam zhveshur pantallonat ngadalë. Ka qenë një i ri, 27-28 vjeç, ashtu, njëri ka qenë 50, 53-54 vjeç, po ky i ziu, ky e mbante automatikun në drejtim…I zhvesha pantallonat dhe ai pastaj ka filluar.
Ka filluar ai ma së pari, po me thënë të drejtën, ai më ka çnjerëzuar mua. Minuti më vinte, ka qenë një çimento aty, kanë qenë edhe disa gurë, a ta marr gurin, po derisa ta kisha marrë, me siguri më kishin vra. Edhe fillova unë duke bërtitur, bërtit e bërtit e bërtit, ai që ishte pak më i ri, ai ka filluar i pari. Ka zgjatur diku me thanë, 5 minuta, 5 a ma shumë. Kam pasur dhimbje shumë. Kam bërtitur, kam pasur të gjitha sendet…Madje, ai i ziu që më ka dhunu gjatë, ai ka ardhur dhe më ka rrahur. Ai më ka rënë dy-tri herë përpara. Dhe është gjë shumë e tmerrshme, dhe më ka rrahur edhe sa kam qenë duke u mbajtur në atë qoshe të murit, duke folur fjalë të ndyra, tregoju nanave shqiptare sa jemi të fortë ne. E harrova unë atë, unë mendoja se po më dhunojnë dhe po më mbysin, veç mendimin tash, a thu a po muj me shku në shtëpi i gjallë.
Të dy të dhunuan, edhe të rrahën…
Njëherë më dhunoi ky, atëherë ai e ka kry, ky i riu, atëherë ka ardhur ai me automatik, ky i ka veshur pantallonat, e ka marrë automatikun dhe ma ka drejtuar kështu drejt fytyrës. Edhe tha, hajde, edhe ky. Edhe ky, tha, duhet me t’dhunu. Po ai ishte i tmerrshëm, i zi, si me qenë i tjetër kombi, dhe ai.., unë duke bërtitur, duke qarë, me lot, katastrofë, duke e lutur, për hir të Zotit…vramëni…dikur mu bë njësoj. Thashë, vramëni, tha, jo jo, kështu për së gjalli kemi për të të vrarë ne. Atëherë ka filluar ai dhe më ka qëlluar kështu, tek ky vend, dhe jam rrëzuar, kam rënë, për pak të bija tek, ka qenë një farë betoni, nuk e di a i thoni edhe ju beton, që është me çimento…kanë qenë edhe nja dy shufra të hekurit, për pak me ra në to, edhe me humbë…
Edhe më ka thanë çohu, dhe ma ka afruar automatikun ky tjetri, ngrihu, dhe unë tani nga frika, nuk ke çfarë, nuk ke çfarë, ka filluar ai bam e bam e bam, dhe më kapte prej flokëve dhe më shkundte bum e bum. Si të them unë…ose thoshte, preja, preja, t’a prejmë, edhe të mos ekzistojë hiç. Atëherë ka filluar ai, kanë filluar dhimbjet, ka filluar të më dhunojë, dhe të më bjerë në shpinë, me gjak, u bona katastrofë, tmerr ka qenë. Ai tjetri, tha, lëshoje bre se gjynah, lëshoje, se unë njëherë u rrëzova, rashë në dy gjunj, dhe ai më ka kapur prapë dhe më ka ngritur. Edhe dhunë, edhe ashtu. Prej kësaj ane, këtu më ka qëlluar, kaq më është bërë buza nga grushtet. Edhe thoshte, hajde ta kryejmë shpejt, edhe ta vrasim, këtu dhe ta hedhim në qosh. Unë s’e di pse nuk më kanë vrarë. Më mirë ka qenë me më vra, mos me ekzistu hiç. Atëherë me thënë të drejtën u bëra një, u mpiva, mu bë njësoj, nuk dija më as çfarë. Krejt mendjen e kisha, nuk më lëshojnë të shkoj te shtëpia. E harrova unë atë.
Pastaj të lanë?
Pastaj më lanë. Ma dhanë edhe një shkelm pastaj, këtu. Edhe u rrëzova përmbys. Dhe ata menduan se unë, një Zot e di a çohem. Dhe tha, a ta vrasim me automatik, a ta vrasim, a ta lëmë, tha, lëre, le t’u tregojë të tjerëve sa të fortë jemi, të ma bjerë edhe nanën, edhe motrën, edhe tha, të tëra kam me t’i çnjerëzu. Krejt, tha, kam me t’i çnjerëzu. Dalëngadalë, e mora atë ciger dhe vazhdova drejt se ata ishin katër, tash unë e harrova atë, thashë mos po ndodh që vijnë edhe ata dy të tjerët, dhe ngadalë ngadalë, kam filluar rrugën me gjak, e duke e fshirë gjakun, duke ecur, duke ecur, dola deri në një vend ku u pritke autobusi për me hy në qytet brenda. Atëherë kam shku ashtu tek shtëpia. Nuk mendojsha kurgjë, edhe familja pastaj, çfarë ka ndodhur…
S’i ke treguar?
Jo, duhej me marrë krejt tjetër temë, duke thënë, më gjetën e më rrahën, kështu. Veç ka qenë dhunim dhe më ka dhunuar edhe me fjalë psiqikisht, Allbanci, motrën, nanën shqiptarë, kam me ardhë edhe nanën, edhe motrën, edhe fëmijët, krejt kam me ju dhunu. Kam me ju pushkatu. Ky ka qenë tmerri i madh që kam përjetuar aso kohe.
Tashti kur sheh në televizor pamje të luftës, edhe histori kur jepen për çfarë ka ndodhur gjatë luftës, si reagon ti?
Tash kur t’shoh ndonjë film, kur t’shoh ndonjë ngjarje që bëhet me dhunë, se ka filma që bëhen, them, a është minuti im i fundit, pse nuk ma merr Zoti shpirtin. Them, pse s’vdes. Pse? Aq mbushem, aq më shkojnë lotë, aq sa mbyllem në dhomë. Mbyllem dikund ku nuk kam qejf të shoh askënd. Nuk më duket interesante jeta kurgjo. Le ta vazhdojnë ata të tjerët. Ka ndodhur, ka ndodhur. Me ia tregu dikujt historinë, pse nuk ke ikur, pse nuk e ke vrarë, unë e kisha bërë kështu, unë kisha qenë kështu…
Sigurisht që ti nuk mundeshe, sigurisht që ti nuk mund të bëje asgjë aty!
Jo jo, ka qenë automatiku aty, po të kishin ardhur ata të pa armatosur, me siguri i kisha shtyrë, edhe pse kanë qenë dy, diçka kisha bërë. Po jo, e kanë bërë të vetën. E kanë bërë të vetën ata.
Ti ke fëmijë tani, ke familjen tënde, që janë shumë mirë…
Po janë. Janë të mirë, po më shohin shpesh të mërzitur.
Po, por ata nuk dinë çfarë ka ndodhur.
Jo, jo, tek ne në Kosovë, vendi ashtu është.
Kjo është sakrifica jote për Kosovën, për familjen tënde.
Po, po, kjo le të jetë kujtim veç i imi. Dhe atë më bren ditë për ditë. Më përsëriten shumë gjëra. Po shteti nuk ka bërë asgjë për këtë kategori, asgjë nuk ka bërë. As nuk na ka përkrahur kush, as kurgjë. Nuk di qysh ka me shku kjo jetë, hiç. E tmerrshme.
Faleminderit shume.
Me nder qofshi!
db/Abcnews.al