Në rubrikën e përjavshme “Pyet kryeministrin” një qytetare i kërkoi Edi Ramës që të ulte pragun e viteve për daljen e grave në pension. “A ke mundësi të na e ulni ne grave vitet e punësimit, të dalim sa më shpejt dhe ta shijojmë cikë atë moshën tonë?” ishte pyetja e qytetares.
Ndërkohë që kreu i qeverisë e zhgënjeu me përgjigjen duke i thënë se kjo është e pamundur, teksa i renditi edhe arsyet.
“Jemi ende pak larg asaj dite, do të duhet të vazhdojmë përpjekjet me durim dhe besim. Shqipëria që duam është Shqipëria që ua kemi borxh fëmijëve tanë.
Na takon ne, i takon gjeneratës sonë që të bëjmë sakrificën, se nëse sot mendojmë vetëm si të përmirësojmë ç’ka është për ne, atëherë këtë do të duhet t’ua privonim fëmijëve tanë nesër dhe këtë nuk mund ta bënim.
Të përqafoj fort, kurajo dhe energji në punë” ishte përgjigja e kryeministrit./ db/Abcnews.al