Komploti për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit, shqetësime për dhunë gjatë zgjedhjeve

schedule22:51 - 17 Tetor, 2020

schedule 22:51 - 17 Tetor, 2020

Në shtetin amerikan Miçigan, autoritetet kanë kapur 13 persona që akuzohen se po planifikonin rrëmbimin dhe ndoshta vrasjen e guvernatores së këtij shteti. Koha e zbatimit të këtij plani, në të cilin përfshihej një grup paramilitar i armatosur me armë gjysmë-automatike dhe eksplozivë, ishte planifikuar të zbatohej në kohën e duhur për të prishur zgjedhjet amerikane dhe për të ngjallur një rebelim. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble, foli me ekspertë të cilët paralajmërojnë se mesazhi provokativ nga liderët dhe mediat sociale me rregulla të dobëta, mund të jenë duke e orientuar klimën politike amerikane drejt dhunës.

Pranverën e kaluar, në Shtetet e Bashkuara shpërthyen protesta kundër masave të sigurisë për pandeminë. Në tubimet përpara godinës qeveritare të shtetit Miçigan në prill dhe maj, disa protestues shprehën dëshpërim për humbjen e të ardhurave, ndërsa të tjerët u nxitën nga ajo që ata e konsideruan si një abuzim i pushtetit nga Guvernatorja demokrate Gretchen Whitmer.

Disa protestues sollën edhe armë në legjislaturën e shtetit.

Nëse nuk do të sillnim armët tona, këta njerëz nuk do të mbroheshin dhe qeveria mund ta tejkalonte autoritetin e saj sa të dëshironte“, thotë Duncan instruktor i armëve të zjarrit.

Javën e kaluar, 13 burra u akuzuan për komplot për rrëmbimin e guvernatores në përpjekje për të nxitur një kryengritje të dhunshme përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Disa nga të arrestuarit kishin qenë pjesëmarrës të rregullt në tubimet kundër masave të izolimit, aktivitete këto të organizuara dhe të mbështetura nga operativë politikë me lidhje të forta në spektrin e djathtë, thotë Lisa Graves, e cila drejton një grup studimor të politikave publike.

Ka grupe të konsoliduara që po ndihmojnë disa grupe që ishin më në periferi“, thotë Lisa Graves, drejtore ekzekutive e “True North Research”.

Këto grupe të krahut të djathtë po nxisnin përpjekjet për të shfuqizuar urdhërat (për izolimin) dhe duke e quajtur atë tirani. Dhe nuk ishin vetëm ata, por edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara“, thotë zonja Graves.

Këto janë rrethanat kur retorika mund të inkurajojë njerëzit që mund të kenë prirje për dhunë“, thotë zonja Graves.

Pas arrestimeve, Guvernatorja Whitmer akuzoi Presidentin Donald Trump se “ushqen mosbesimin dhe nxit zemërimin”. Presidenti Trump u përgjigj duke shkruajtur në Twitter se ai nuk e toleron “dhunën ekstreme” dhe se “Guvernatorja Whitmer ka bërë një punë të tmerrshme”.

Shtatë nga burrat e akuzuar ishin anëtarë të një milicie anti-qeveritare që rekruton dhe komunikon duke përdorur Facebook-un. Dhe megjithëse kompania Facebook lajmëroi FBI-në për deklaratat e zjarrta të grupit, ekspertë si Joan Donovan thonë se kompanitë e mediave sociale nuk kundërveprojnë gjithnjë ndaj kërcënimeve.

Për mua, kjo është më shumë një shenjë paralajmëruese se ka grupe të tjera që ndoshta po bëjnë plane të tilla“, thotë Joan Donovan, Drejtore Kërkimesh, në Qendrën e Harvardit “Kennedy Shorenstein” për Politikën e Medias dhe Politikën Publike.

Dhe nëse kompanitë që i kanë ndërtuar këto rrjete për të transferuar informacione nuk janë të vetëdijshme për atë çfarë transmetohet, atëherë kjo e vë publikun në rrezik shumë më të madh“, thotë zonja Donovan.

Gjatë këtij viti u panë gjithashtu protesta mbi vrasjet nga policia të qytetarëve afrikano-amerikanë që shpërthejnë në të gjithë vendin, me disa valë dëmtimi të pronës, plaçkitje dhe përplasje me kundër-protestuesit.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray kohët e fundit trajtoi kërcënimin e përshkallëzuar të ekstremizmit në dëshminë e tij përpara Kongresit.

Megjithëse shumica e protestuesve kanë qenë paqësorë, ne kemi hapur hetime mbi individë të përfshirë në veprimtari kriminale në këto protesta, disa prej të cilëve u përmbahen axhendave të dhunshme ekstremiste të krijuara për të mbjellë mosmarrëveshje dhe trazira“, tha zoti Wray.

Votimi i hershëm tashmë është duke u zhvilluar në pjesën më të madhe të Amerikës dhe FBI-ja po përpiqet të garantojë amerikanët për sigurinë e zgjedhjeve dhe u ka bërë thirrje njerëzve të raportojnë krime të dyshuara zgjedhore ose frikësimin e votuesve.VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!