“Jam sëmurë”! Pedagogu në qeli, sekseri “kyçet” në shtëpi: Diçka që nuk na vret na bën më të fortë

schedule19:49 - 17 Tetor, 2020

schedule 19:49 - 17 Tetor, 2020

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Xhevair Dervishin, të akuzuarin si sekser në dosjen e ryshfetit që prokuroria zbuloi rreth një muaj më parë dhe që e çoi në pranga së bashku me pedagogun Alket Dino, që do të vijojë që të jetë në qeli, raporton gazetarja e Abc News Glidona Daci.

Xhevair Dervishi paraqiti në gjykatën e posaçme të Apelit një dokument nga mjeku duke pretenduar se është i sëmurë. Pasi u njohën me dokumentin, togat e zeza e pranuan kërkesën e të dyshuarit dhe i caktuan masën e sigurisë arrest në shtëpi deri në përfundim të hetimeve.

Pas lirimit nga qelia, Dervishi ka bërë një postim në rrjetet sociale duke falënderuar miqtë për mbështetjen.

Faleminderit familja ime! Faleminderit zot!Faleminderit për gjithçka njerëzit e mi të dashur!

Miqtë e mi, dua t’ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen tuaj, në këtë situatë të vështirë për mua dhe familjen time! Sot jam pranë familjes dhe njerëzve të mi! Diçka që nuk na vret na bën më të fortë!

Faleminderit” shkruan ai.

Në datë 27 shtator SPAK arrestoi pedagogun që akuzohet se merrte para nga studentët në këmbim të notave kaluese, ndërsa bashkë me të edhe Xhevair Dervishin, që akuzohet si sekser.

Pas arrestimit të pedagogut të Universitetit të Korçës Alket Dino avokati i tij Nevzat Tarelli deklaroi se i mbrojturi prej tij nuk ka asnjë dijeni për akuzën që i atribuohet.

Sipas avokatit të Dinos, profesori ka qenë kontakt për një arsye tjetër me të akuzuarin si sekser Xhevair Dervishi, për shkak të një interesi të profesorit për marrjen e një shtëpie me qira në agjencinë imobiliare që Dervishi disponon./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!