Balla: Askush se besonte se kryeprokurori mund të ishte subjekt i Vettingut

schedule12:20 - 10 Qershor, 2018

schedule 12:20 - 10 Qershor, 2018

Vettingu është një nga kryereformat që ka ndërmarrë qeveria ka vënë në dukje kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, gjatë turit llogaridhënës në Bashkinë Elbasan. Shembull solli ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla që sot sipas tij i është nënshtruar këtij procesi.

Një vit më parë askush nuk do ta mendonte që Prokurori i Përgjithshëm do të kalonte në sitën e Vettingut. Sot, ai dhe shumë të tjerë duhet të japin llogari për pasuritë e tyre e kush nuk e justifikon do të jetë një figurë më pak në sistemin e ri të drejtësisë.

Mesazhin, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ua dha banorëve të njësisë Administrative Shirgjan, Bashkia Elbasan.

Taulant Balla: “Një vit më parë, së bashku me Edi Ramën, u angazhuam në këtë vend për të çuar përpara Vettingun. Para një vit nuk e besonte kush që Prokurori i Përgjithshëm do të ishte subjekt i Vettingut dhe sot besoj e keni ndjekur që Vettingu po shkon në themelet e sistemit të vjetër të drejtësisë, për t’i shkulur nga themelet personat të cilët nuk e meritojnë, në asnjë moment, të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, e për të ngritur kështu një drejtësi të re e cilat të bazohet tërësisht në meritokraci dhetë bazohet tërësisht në drejtësi atij që i takon”.

Në turin llogaridhënës ishtë i pranishëm edhe Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, sipas të cilit, për herë të parë në Shqipëri ka ndryshuar mënyra e qeverisjes dhe qytetarët kanë akses direkt dhe konkret në vendimmarrje.

Arben Ahmetaj: “Përveç Vettingut që sot po ndodh kryeministri ka premtuar një sërë masash dhe politikash të tjera, një pjesë e të cilave kanë filluar të zbatohen, një pjesë janë në rrugë e sipër. Por ajo që ka ndryshuar tërësisht është se në fushatë midis të tjerash kemi thënë dy gjëra: Ne bëjmë çfarë premtojmë dhe ne nuk vijmë vetëm në zgjedhje. Sot rikthehemi këtu, jo thjesht deputeti i zonës dhe kryetari i bashkisë, por e gjithë qeveria, e gjithë mazhoranca, që nga Kryetari Grupit Parlamentar, ministrat dhe Kryeministri, janë të gjithë në terren, në takime me popullin për të dhënë llogari.”

Me këmbënguljen e banorëve, por edhe të deputetit Taulant Balla dhe kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, ministri Ahmetaj pranoi rëndësinë e financimit të rrugës Kuqan – Jagodinë – Bujqës – Muriqan./abcnews.al