Conte: Derbi i vështirë, Milani shumë i fortë. Hakimi dhe Theo “vdekjeprurës”

schedule15:44 - 16 Tetor, 2020

schedule 15:44 - 16 Tetor, 2020

Nesër rikthehet derbi i Milanos. Interi dhe Milani përballen mes tyre në “San Siro”, duke filluar nga ora 18:00 dhe Antonio Conte flet gjatë rreth sfidës së veçantë në konferencën për shtypin. Trajneri i zikaltërve ndalet te gjendja e Alexis Sanchez, dëshira e Eriksen për të luajtur më shumë dhe përballja mes Hakimit dhe Theo Hernandez.

DERBI – “Derbi krijon vështirësi të mëdha, pasi do të përballemi me një skuadër të fortë që po paraqitet shumë mirë. Milani i bëri një mbyllje të rëndësishme sezonit të kaluar dhe e ka nisur të riun në të njëjtën mënyrë. Është një duel i fortë, njësoj si ai me Lazion. Fatkeqësisht koha për përgatitjen e kësaj sfide ka qenë e paktë. Do të doja të kisha edhe një ditë në dispozicion për të punuar në lidhje me këtë ndeshje, por ky është kalendari dhe duhet ta respektojmë”.

INTERI – “Ne tentojmë të bëjmë mirë në çdo takim, pjesa më e madhe e lojtarëve të kombëtareve janë kthyer dje. Sanchez dhe Vidal ishin të fundit që u bashkuan me ne. Kur paraqitesh mirë në kombëtare, vjen me moral të lartë, diçka që do tentojmë ta shfrytëzojmë për mirë. Pres që skuadra të tregojë rritje, sidomos sa i përket marrjes së përgjegjësive”.

SANCHEZ – “U kthye mbrëmë vonë dhe kishte një problem muskulor. Stërvitja e sotme do të tregojë gjendjen e tij reale, por duhet të tregohemi të kujdesshëm. Ndaj Milanit luajmë sfidën e parë të një cikli prej shtatë ndeshjesh çdo tre ditë. Nuk përjashtoj aktivizimin e Alexis, por do të bisedojmë me të në lidhje me vendimin që do marrim”.

 

Eriksen duke dëgjuar direktivat e Contes…

KORONAVIRUSI – “Duhet të tregohemi të aftë në këtë moment. Është e rëndësishme të jemi bashkëpunues dhe të pranojmë situatën që është krijuar, duhet të mos e humbasim qetësinë dhe të marrim përsipër përgjegjësi. Do të ishte shkatërruese të ndaleshim sërish”.

HAKIMI-THEO – “Pres një duel midis dy skuadrave, Interit dhe Milanit. Këta skuadra kanë elementë të rëndësishëm në përbërje si Hakimi dhe Theo. Po flasim për dy anësorë me cilësi të jashtëzakonshme dhe vdekjeprurës në aspektin e shpejtësisë me të cilën sulmojnë”.

ERIKSEN – “Unë mendoj se po luajnë lojtarët që e meritojnë, unë vendos gjithmonë për të mirën e Interit. Jam i lumtur me atë që Eriksen po i jep skuadrës si dhe për mënyrën se si po integrohet. Edhe ai është i lumtur që është pjesë e jona. Sezoni është i gjatë, do të ketë shumë hapësira për të dhe lojtarët e tjerë në vijim”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!