Shqipëri ndryshe në Lituani, zbardhen dilemat e trajnerit Edy Reja

schedule13:58 - 13 Tetor, 2020

schedule 13:58 - 13 Tetor, 2020

Skema ndoshta do të jetë e njëjta, por aktorët të tjerë. Natyrisht nuk pritet ndonjë ndryshim radikal tek formacioni i Shqipërisë për ndeshjen e kësaj së mërkure në Lituani për Ligën e Kombeve, por sidoqoftë, diçka do të lëvizë.

Trajneri Edi Reja po mendon për aktivizimin e disa lojtarëve të tjerë, i detyruar edhe nga ndonjë dëmtim, por edhe sepse beson se këta mund të japin më shumë. Në mbrojtje besohet se Mihaj i PAOK do të luajë në vend të Dermakut të Lecce.

Nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh në aktivizimin mes tyre me klubet, ndonëse Mihaj ka luajtur diçka më shumë. Në mesfushë, ndryshimi do të jetë i detyruar sepse Amir Abrashi pësoi dëmtim ndaj Kazakistanit, ndaj edhe Reja duhet të bëjë një zgjedhje mes Laçit dhe Çekiçit, ku i pari duket me më shumë avantazh, përderisa për cilësi teknike mesfusha nuk vuan duke pasur Kallakun e Baren.

Albi Doka dhe Lenjani mund të jenë titullarë në krahë, me mbrojtësin që luan për NK Gorica që pritet të debutojë. Në sulm gjithashtu mendohen ndryshime, ku Vrioni mund të luajë në vend të Manajt. Armando Broja besohet se do ta ruajë vendin si titullar pas paraqitjes së mirë ndaj Kazakistanit, por një mendim është edhe për Seferin, ndërsa skema do të jetë e njëjta, 3-5-2. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!