De Biasi: Shqipëria eksperte në mbrojtje, në Francë ndeshja më e bukur

schedule08:38 - 12 Tetor, 2020

schedule 08:38 - 12 Tetor, 2020

Gianni De Biasi është i fokusuar te kombëtarja e Azerbajxhanit, me të cilët firmosi një kontratë 2-vjeçare në muajin korrik. Trajneri i dashur i tifozëve shqiptarë ka marrë tre pikë në tre sfidat e para të Nations League me azerët.

Në një lidhje direkte me Supersport, ish-trajneri i kuqezinjve flet rreth barazimit 0-0 të Shqipërisë në Kazakistan, pikave më të forta të kombëtares dhe ndeshjes më të mirë që ka luajtur Shqipëria e tij. Nesër do të rikthehet në Shqipëri.

Azerbajxhani pret Qipron, por në shtëpi po luftohet ndaj armenëve dhe zgjidhja erdhi nga FSHF, që i “dhuroi” De Biasit dhe kombëtares azere stadiumin “Elbasan Arena” për të luajtur sfidën e radhës.

SHQIPËRIA – “Shqipëria ka një skuadër të mirë, eksperte në mbrojtje dhe me lojtarë të mirë në mesfushë e sulm. Me pak fat, mund të merrte fitoren ndaj Kazakistanit. Është një skuadër shumë e re, me të ardhme, ka mundësi të bëjë mirë dhe të rritet. Ka lojtarë që po rriten dhe po marrin përvojë jashtë. Kumbulla luan më Romën, Gjimshiti me Atalantën në Champions. Është përvojë shumë e rëndësishme. Strakosha dhe Berisha janë portierë me eksperiencë”.

 

De Biasi gjatë një konference për shtypin si trajner i Azerbajxhanit

SKEMA – “Besoj se Reja ka moshë dhe përvojë për zgjidhjen më të mirë. Nuk mendoj se ka shumë rëndësi një sistem loje, mjafton të dish të aktivizosh lojtarët dhe të arrish që ata të shkruajnë një pjesë të historisë në kombëtare”.

KUQEZINJTË – “Mendoj që është skuadër e bukur dhe që mund të japë kënaqësi. Duhet të jetë më konkrete dhe të marrë rezultate. Reja do të punojë nga kjo pikëpamje. Janë të rëndësishme edhe ndeshjet e ardhshme për të parë përpara. Në mbrojtje skuadra është shumë e mirë. Gjimshiti dhe Kumbulla janë shumë cilësore. Nga krahët ka lojtarë që shtyjnë, nuk është lehtë. Para, nëse Manaj është mirë edhe ndonjë lojtar i kohës sime, do të ishte në nivel të lartë”.

 

Kombëtarja e Shqipërisë para sfidës me Kazakistanin

ELBASAN ARENA – “Nuk e kam zgjedhur unë Shqipërinë për të luajtur, por federata, sepse kishte probleme ‘Air Albania’. Më kërkuan se ku do të luaja në Ballkan, thashë në Shqipëri. Kur FSHF dha ‘ok’-in,u  gëzova”.

ÇFARË MË MUNGON NGA SHQIPËRIA – “Edhe unë kam afeksion për ju. Më mungon raporti me njerëzit, me tifozët. Këto janë gjëra që kanë pak sens nga ana emotive, sepse po luajmë pa tifozë. Por janë ndeshje që kanë rëndësi për pikët dhe për renditjen. Më mungon kuzhina shqiptare dhe fakti që jam pak larg shtëpisë”.

NDRYSHIMET – “Më kanë pyetur edhe në Azerbajxhan. Janë fushat, struktura … lojtarët atje luajnë shumë pak jashtë për të fituar përvojë. Ka lojtarë të Qarabagut që marrin përvojë në Kupat e Europës. Të Shqipëria ishte ndryshe”.

NDESHJA MË E MIRË – “Sipas meje, kemi luajtur shumë, por, sa i përket cilësisë, është miqësorja në Rennes, ndaj Francës, ku kemi barazuar me Mavrajn. Në Europian ata patën frikë ndaj nesh, kishim fituar edhe në Elbasan në miqësore”.

 

Tifozat Kuq e Zi

AZERBAJXHANI – “Donim të fitonim vendin e parë në grup, por nuk e patëm mundësinë për të punuar, lojtarët i pashë shumë pak. Kemi humbur me Luksemburgun sepse luajtëm 10 kundër 11. Do të punojmë për të ardhmen, kemi tri ndeshje dhe do të tentojmë t’i fitojmë të gjitha”.

LUFTA– “Nuk është situatë e lehtë në realitetin ku jetoj unë. Sa hap televizorin, lajmi i parë është lufta, për krahinën Nagorno-Karabagh”.

RIKTHIMI – “Kurrë mos thuaj kurrë. Kemi kaluar për 5 vite e gjysmë bashkë, ku i dihet në të ardhmen… Nuk varet vetëm nga unë, por për momentin jeni në duar të sigurta”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!