Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, thotë se ka ardhur koha që Shkupi të marrë një vendim përfundimtar sa i përket çështjes së emrit. Ndërsa kryeministri maqedonas thotë se zgjidhja do të vijë shumë shpejt.
Kryediplomati grek, Nikos Kotzias, mendon se është koha për të marrë një vendim përfundimtar, për çështjen e emrit të Maqedonisë. Ai ka thënë se me ministrin e Jashtëm, Nikolla Dimitrov, kanë pasur takime në Nju Jork dhe Bruksel, ndërsa tashmë ka ardhur koha për të thënë “po” ose “jo”. Kotzias mendon se qeveria në Shkup po përballet me disa presione dhe probleme.
“Në Shkup nuk po pranohet emri Maqedonia e Vardarit, pasi mendohet, se bëhet fjalë për erën e fashizmit dhe okupimit”, është shprehur ministri i Jashtëm në intervistën për televizionit shtetëror grek ERT.
Ai nuk ka pranuar të konfirmojë, nëse për palën greke është i pranueshëm propozimi: Maqedonia Veriore. Kurse nga ana tjetër, kryeministri maqedonas Zoran Zaev është pyetur nëse është çështje ditësh zgjidhja e problemit të emrit. Ai nuk ka dashur të japë përgjigje për këtë, por ka deklaruar se kjo është çështje e ndjeshme prandaj pret mirëkuptim nga qytetarët.
“Nuk dua të komentoj shumë, por besoj se për disa ditë do të kemi zgjidhje të suksesshme të këtij procesi”, u shpreh shefi i qeverisë.
Ndërkohë, Zaev nuk ka treguar kohën e saktë se kur do të realizohet telefonata e shumëpritur me kryeministrin grek Aleksis Tsipras. Në atë bisedë do të vendoset për emrin e ri zyrtar të Maqedonisë. Aktualisht përflitet për propozimin “Maqedonia e Veriut”.
Ndërsa më herët, Athina refuzoi emrin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”. Mediat e Shkupit raportojnë se për këtë çështje ka ndërhyrë edhe administrata e Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni bën thirrje që brenda 9 Qershorit, Zaev të japë një përgjigje. /abcnews.al