Tirana ka nevojë për një sulmues dhe po mendon për një rikthim. Ernest Muçi nuk mjafton, Avdijaj nuk po ia del të fitojë formën e tij më të mirë, teksa Sasraku mbetet për t’u parë.
Në kushte të tilla, kampionët në fuqi janë fokusuar te rikthimi i Michael Ngoo. Panorama Sport raporton se ka qenë vetë bomberi anglez ai që ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer tek ekipi kryeqytetas.
Bisedimet mes palëve kanë nisur dhe po punohet për gjetjen e një akordi. Merkato është mbyllur, por Tirana ndihmohet nga fakti që 27-vjeçari nga Londra është një lojtar i lirë.
Ngoo ka luajtur me Tiranën në tre sezonet e fundit, por ndërpreu bashkëpunimin në ditët e para të gushtit. Kjo për shkak të mosarritjes së marrëveshjes financiare.
Shtatlarti (13 gola dhe 14 asiste në sezonin e fundit) kërkoi një rrogë prej 10 mijë eurosh në muaj, por drejtuesit e 25 herë kampionëve të Shqipërisë nuk i ofruan më shumë se 8500 euro. /abcnews.al