Shpejtësi dhe fantazi, Edy Reja përgatit kurthin për Kazakistanin

schedule14:59 - 8 Tetor, 2020

schedule 14:59 - 8 Tetor, 2020

Trajneri Edi Reja përgatit formacionin e kombëtares për ndeshjen ndaj Kazakistanit në Ligën e Kombeve. Italiani do të hedhë në fushë lojtarë të rinj në repartin sulmues

Transformimi dalë nga dalë po bëhet i madh. Edi Reja vërtet i ka vënë detyrë vetes që të përgatisë një kombëtare për edicionet e ardhshme, jo thjesht për Ligën e Kombeve, por këtë herë është i detyruar edhe nga rrethanat. Trajneri italian po mendon për një formacion jo edhe aq të zakonshëm për ndeshjen në Kazakistan, sidomos për fazën ofensive.

Manaj e Broja duken lojtarët e përzgjedhur, pasi ata i duken Rejës më në formë se të tjerët, ndërsa Cikalleshi e Balaj nuk janë thirrur këtë herë. Pas tyre, Çekiçi, një lojtar që vetëm së fundmi e ka bindur 75-vjeçarin se meriton vendin në skuadër.

 

Në mesfushë, Reja ka disa elementë të përcaktuar si Uzunin, Baren e Abrashin, sidomos me dyshen e qendrës që tashmë e quan titullare. Përsa i përket portës, kthimi i Etrit Berishës e ka lehtësuar teknikun, që pritet ta hedhë titullar, dhe kapiten në mungesë të Elseid Hysajt të pezulluar.

Përsa i përket mbrojtjes, me rëndësi gatishmëria e Kumbullës, që do të shoqërojë Gjimshitin, ndërsa për lojtarin e tretë duhet zgjedhur mes Dermakut që nuk po aktivizohet tek Parma dhe Mihajt. Ndeshja në Kazakistan luhet në 11 tetor dhe është e vlefshme për Ligën e Kombeve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!