Kombëtarja e volejbollit të femrave arriti një sukses të rëndësishëm në Ligën e Europës. Ajo mposhti Austrinë jashtë fushe dhe siguroi përfundimisht kualifikimin për në fazën finale.
Besimi ekzistonte që përpara ndeshjes dhe ja ku erdhi konfirmimi.
Kombëtarja e volejbollit të femrave tashmë mund të shpresojë për një hop të madh cilësor, pas suksesit në Austri për Ligën e Europës.
Skuadra e drejtuar nga trajnerët Altin Martiri e Roland Tarja përballuan një kundërshtar që cilësohej si më i fortë sesa i yni, madje edhe duke e nisur keq përballjen.
Vendaset ishin të papërmbajtshme në Sallën Sportive të qytezës së Ensit, duke fituar dy setet e para me të njëjtin rezultat, 25-21.
Gjithsesi, ishte vetëm fillimi, pasi vajzat shqiptare nuk e humbën aspak.
Duke luajtur lirshëm, pasi ishin thuajse të kualifikuara, ato nisën kthesën të udhëhequra nga Erblira Bici.
Fituan radhazi setin e tretë 25-19, pastaj të katërtin edhe më lehtë, 25-16, dhe përballuan krenarinë e austriakeve, në setin final, që përfundoi 15-11.
Sukses i merituar i ekipit që luajti me formacionin titullar Bici, Tuci, Thaka, Marina, Prenga e Sejfullai.
Bici u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes me 32 pikë të shënuara, ndërsa Arjola Prenga realizoi 11.
Ndeshjet në grup përfundojnë me atë ndaj Gjeorgjisë në Tiranë, ndërsa kualifikimi është tashmë i arritur.
Kombëtarja tani synon ta fitojë Ligën e Europës të nivelit të dytë, apo siç quhet të argjendtë, për të kaluar në nivelin maksimal, Ligën e Artë.
Faza finale do të mbahet në 16-17 qershor në Nikëping të Suedisë dhe favorite pritet të jetë skuadra vendase, ajo suedeze, me të cilën sipas të gjitha gjasave do të ndeshet Shqipëria.
Gjithsesi, vajzat kuqezi kanë besim se mund t’ia dalin./abcnews.al