Enis Qerka është emëruar si këshilltar politik i ministrit të Drejtësisë në Kosovë edhe pse është arrestuar si person i dyshuar për transport të lëndëve narkotike.
Kabineti i ministrit Selimi e ka pranuar se “Enis Qerka është emëruar si këshilltar i jashtëm në Ministri të Drejtësisë” dhe se “vendimi është nënshkruar dhe ka shkuar në administratë si çdo vendim tjetër”. Enis Qerka u bë i njohur në opinion kur u arrestua në kufirin Kosovë-Maqedoni me dyshimin se ishte i përfshirë në kontrabandimin e 113 kilogramëve narkotikë të llojit heroinë, në dhjetor 2018.
Gjykata ia pati caktuar Qerkës një muaj ditë paraburgim, por ai dhe dy të dyshuar të tjerë, vëllai i tij, Selim Qerka, dhe Gent Selaci, qenë liruar nga paraburgimi pas një jave, me urdhrin për t’u paraqitur në stacion të policisë.
Gazeta ka pyetur ministrin e Drejtësisë, Selimi, se si e ka angazhuar për këshilltar një person të arrestuar me dyshimin për kontrabandim të 113 kilogramëve drogë, dhe në përgjigjet e dërguara nga kabineti i tij është thënë se “vendimi për z. Qerka si këshilltar i jashtëm është marrë pasi që ndaj tij kanë pushuar hetimet”.
Enis e Selim Qerka dhe Gent Selaci janë të vetmit që nuk janë përfshirë në aktakuzën kundër grupit të personave të arrestuar, që u zunë me 113 kilogramë drogë. Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte caktuar të mbahej seanca gjyqësore kundër Xhemail Shalës, Sadik Shalës, Iskender Sale, Alban Gashit dhe Labinot Zenelajt.
Siç është njoftuar, seanca është shtyrë “për t’iu dhënë kohë të akuzuarve që të mendojnë për pranim të fajësisë”. Në webfaqen e Ministrisë së Drejtësisë janë publikuar vendimet për emërime të 11 këshilltarëve politikë: Trim Musliu, Emrush Kastrati, Jeton Maqedonci, Kushtrim Loshaj, Rineta Obertinca, Liridon Hereqi, Xhavid Loshaj, Naim Ramizi, Nimon Bricori dhe Diana Rugova, (shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike). Vendimet për disa nga këshilltarët janë marrë në muajin qershor 2020, ndërsa për disa të tjerë në fund të korrikut 2020./Koha