Policia e Shtetit në një reagim zyrtar bëri të ditur se Lulzim Basha dhe familja e tij nuk survejohet nga forca policore. Ndërkaq, 3 deputetë demokrate zhvilluan sot një takim me kreun e policisë, Ardi Veliu.
Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit përgënjeshtroi lajmet se familja e Lulzim Bashës mbahet nën vëzhgim nga “Forcat Operacionale Speciale”.
“Me këtë rast theksojmë se z.Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës. Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit”.
Më herët, nënkryetari Edi Paloka dhe deputetet Enkelejd Alibeaj e Flamur Noka, shkuan në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku përreth 20 takuan titullarin e këtij institucioni Ardi Veliu. Asnjë nga palët në takim nuk dhanë informacion lidhur se çfarë u diskutua në zyrën e Veliut, pavarësisht interesit të lartë të medias.