Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla është ankuar te ambasadorët e BE-së përmes një letre për gjuhën sipas saj kërcënuese, të Ivica Daçiç, i cili të premten gjatë një interviste televizive, pyeti se “çfarë të bëhet me serbët që u tregojnë shqiptarëve se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”. Haradinaj në letrën e saj u ka kujtuar ambasadorëve krimet që Serbia ka kryer në Kosovë, ndërsa ka kërkuar nga ata që dënojnë deklaratën e Daçiçit dhe të Aleksandar Vulinit, ministrit serb të Mbrojtjes.
“Kërcënimet publike nga Ivica Daçiç ndaj serbëve të cilët tregojnë vendet ku fshihen trupat e viktimave shqiptare të Kosovës, ka shkaktuar dhimbje të jashtëzakonshme për popullin e Kosovës e hapje të plagës së vjetër, dhe veçanërisht për familjet e viktimave dhe atyre që ende rezultojnë të zhdukur 21 vjet pas luftës. Për më tepër, thirrja ksenofobe e Aleksandar Vulin ndaj shqiptarëve – në deklaratën e djeshme zyrtare për shtyp – meriton dënimin tuaj të fuqishëm ndaj akteve të turpshme dhe shoviniste të qeverisë së Serbisë” shkruan Haradinaj në letër. Ajo ka treguar se edhe vetë i përket një familje që ishte viktimë e masakrës së Lybeniçit./ db/Abcnews.al

