Të martën e ardhshme Shqipëria do të kthejë sytë nga Brukseli, sërish në pritje të një tjetër rekomandimi pozitiv për të nisur bisedime për anëtarësim në BE.
Këtë raport Komisioni Evropian e publikon zakonisht në pranverë, por pandemia botërore e shtyu atë për këtë fillim muaji.
Nuk ka ende detaje se çfarë do të përmbajë progres raporti i ri për vendin tonë, por porositë për Shqipërinë do t’i paraqesë të mërkurën vetë komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi. Ai do të vizitojë Ballkanin dhe në një agjendë dy ditore do të ketë takime në 5 vende të Ballkanit perëndimor dhe në Shqipëri do të jetë të mërkurën në 7 tetor.
Gjatë qëndrimit në Tiranë komisioneri për zgjerimin do të takojë kryeministrin Edi Rama por edhe liderin e opozitës Lulzim Basha.
Gjatë vizitës së tij, Varhelyi nuk do të fokusohet vetëm tek integrimi, por edhe tek Plani Ekonomik dhe i Investimeve të Komisionit Evropian që pritet të publikohet po në 6 tetor.
Nuk priten surpriza të mëdha nga progres raporti. Për të disatën herë ai ka qenë pozitiv, por do të jenë vendet anëtare të BE-së, ato të cilat në dhjetor do të vendosin nëse do të mblidhet konferenca ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë.
Shqipërisë i janë lënë detyra që ende nuk i ka përmbushur, si ngritja dhe funksionimi i Gjykatës së Lartë e asaj Kushtetuese, ndëshkimi i krimeve zgjedhore apo një reformë elektorale konsensuale./abcnews.al