Myrto Uzuni po feston ende kualifikimin në grupet e Champions League. Mbrëmë ia doli të “hakmerrej” ndaj Molde që me Erling Haaland e kishte eliminuar në Europa League me Laçin. Sulmuesi anësor edhe shënoi në minutat shtesë, por pak centimetra ishte pozicion jashtë loje dhe iu desh të mos e nxirrte luanin brenda vetes.
Kualifikimi në grupet e Champions në fakt ishte një fitore që i jep të drejtë Myrtos për zgjedhjen e Ferencvaros dhe që u jep krahë të rinjve të besojnë në ëndrrat e tyre. Beratasi i rritur në lagjen Uznovë pa asnjë diskutim është shembull dhe frymëzim.
Për të asgjë nuk ka qenë e lehtë dhe para pak ditësh në mediat hungareze ai rrëfente: “Ne shkuam në Greqi për një jetë më të mirë, por shumë shpejt e kuptuam se ishim të huaj atje. Unë mbërrita në Greqi kur isha 10 vjeç dhe në moshën 14-vjeçare më duhej të punoja disa orë në ditë për të siguruar jetesën. Nuk numërohen se sa punë kanë kaluar në dy duart e mia, por njëra prej tyre solli edhe kthesën e madhe.
Punoja në një restorant dhe atje takova një trajner futbolli. Ai më konfirmoi sesa e vështirë ishte për mua që të stërvitesha në darkë duke vazhduar edhe në restorant, ndërsa unë do ta lija menjëherë punën pasi po rrezikoja futbollin dhe nuk do të isha këtu sot me Ferencvaros”.

Myrtos dhe familjes së tij iu desh të ktheheshin në Berat, aty ku sulmuesi adoleshent nisi të luante me moshat e Tomorit mes baltës së fushave të futbollit në vendin tonë. Spikati menjëherë dhe kaloi tek ekipi i parë, aty ku në një miqësore ndaj Besës fitoi simpatinë e Artan Mergjyshit.
Iu propozua Laçit, që e vëzhgoi atë në një ndeshje kampionati kundër Lushnjës. Ia doli të përballonte shkelmat e një veterani si Viktor Gjyla dhe në atë sfidë edhe shënoi golin e fitores për Tomorin. Gjithsesi te Laçi nuk u treguan shumë të shkathët për ta transferuar.

Mergjyshi, këtë herë në drejtimin e Apolonisë, e kërkoi në skuadër dhe drejtuesit fierakë arritën marrëveshjen për transferimin e tij. Kontratë 4-vjeçare, debutim kundër Tiranës në Superiore dhe më pas mori vëmendjen e medias dhe të kombëtares U21.
Me Apoloninë në Kategorinë e Parë shënoi 17 gola në një sezon dhe dëshira e tij ishte të luante në elitë. Laçi nuk e kishte harruar dhe presidenti Pashk Laska këtë herë nuk mund të priste më dhe e bleu nga Apolonia.
Me fanellën e Laçit, qytetit ku babai i tij Artani kishte bërë ushtrinë, Myrto asistoi dhe shënoi gola të rëndësishëm. Mes tyre një kundër Anorthosis Famagusta që e kaloi Laçin në turin e dytë të Europa League.

Molde rival dhe elozhe nga Ole Gunar Solskjaer: “Laçi kishte disa lojtarë të mirë, teknikë dhe të shpejtë në lojën një kundër një. Për mua numri 10, Uzuni do të ketë padyshim një të ardhme të mirë”. Fjala e trajnerit të Manchester United doli dhe Uzuni tani do të provojë të luajë në grupet e Champions League.
Para se të vinte deri këtu, ai kishte shkruar historinë me Lokomotiv Zagreb në Kroaci dhe tani po tenton të bëjë të njëjtën gjë me hungarezët e Ferencvaros. Një faqe të lavdishme e ka shkruar së bashku me shokët e skuadrës, pasi pas 25 vitesh skuadra e tyre do marrë pjesë në grupet e Champions League. Tani Uzuni mezi pret të dëgjojë edhe himnin e famshëm të këtij kompeticioni dhe pse jo të shënojë emrin në listën e golashënuesve… /abcnews.al

