Avokati i Salih Mustafës paralajmëron mocione kundër Gjykatës Speciale

schedule18:38 - 28 Shtator, 2020

schedule 18:38 - 28 Shtator, 2020

Julius Von Boné, avokat i ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ka bërë një paralajmërim në seancën e parë gjyqësore të Gjykatës Speciale të Hagës.

Ai është shprehur se mund ta sfidojnë Gjykatën Sepciale si institucion të drejtësisë dhe mënyrën e funksionimit të saj.

Duke folur para gjyqtarit të kësaj seance, Nicolas Guillou, avokati Von Boné u shpreh se nuk përjashtohet mundësia që të dorëzojnë mocione, përmes të cilave synohet kundërshtimi i juridiksionit dhe ligjshmërisë e Gjykatës Speciale.

Sipas tij, fakti që sot bashkë me Mustafën u paraqit në seancën e parë të kësaj gjykate, nuk do të thotë se e pranojnë gjykatën si të tillë.

“Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimt të mocioneve të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo legalitetin, ligjshmërinë e gjykatës. Dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë. Por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, është shprehur Julius Von Boné.

Ai ka shtuar se ish-shefi i Inteligjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Salih Mustafa, ende nuk e ka parë të plotë aktakuzën e ngritur kundër tij.

“Klienti im ka marrë vetëm versionin e redaktuar të aktakuzës. Nuk e di pse janë redaktuar apo kush është përmendur në versionin e redaktuar. Kur të jetë e disponueshme na duhet. Sigurisht të gjitha këto janë shumë të reja për klientin tim, do t’i duhet njëfarë kohe për t’u përshtatur”, ka thënë avokati nga Rotterdami.

Salih Mustafa u arrestua javën e kaluar në Kosovë dhe u dërgua në Dhomat e Specializuara në Hagë me katër akuza që rëndojnë mbi të për vepra që pretendohet se janë kryer gjatë luftës, duke përfshirë vrasje dhe tortura. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!