Konflikti i armatosur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, i cili filloi në fundjavë, po vazhdon edhe të hënën. Palët kanë publikuar pamje të bombardimit të pozicioneve të armikut, ku shihet shkatërrimi i tankeve dhe sistemeve kundërajrore.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, pranoi se ushtria e vendit të tij ka pësuar humbje gjatë luftimeve në rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, i cili kontrollohet nga armenët, por ndërkombëtarisht njihet si pjesë e territorit të Azerbajxhanit.
Armenia pretendon se i ka rrëzuar dy helikopterë të forcave azere dhe i ka goditur me artileri dy tanke të armikut, por një gjë e tillë është mohuar nga Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit, shkruan Daily Mail.
Nuk dihet saktësisht si filloi përleshja e fundjavës, që është më e rënda nga korriku i këtij viti, kur 16 ushtarë u vranë nga radhët e të dyja palëve.
Lexo edhe: Avionët turq në kufi me Armeninë, luftë e ashpër në rajon
Konflikti mes këtyre dy vendeve e ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për shkak se nëpër këtë rajon kalojnë naftësjellësit dhe gazsjellësit që e furnizojnë Evropën nga burimet në Detin Kaspik.
Kombet e Bashkuara dhe fuqitë e mëdha u kanë bërë thirrje palëve që t’i ndërpresin menjëherë luftimet dhe t’i ulin tensionet. /abcnews.al