Leicester City shkatërron Manchester Cityn me rezultatin 2-5 dhe i bashkohet Evertonit të Carlo Ancelottit në krye të Premier League, me 9 pikë të plota pas tre javëve të para.
Djemtë e Pep Guardiolës e nisën shumë mirë takimin. Riyad Mahrez shënoi një eurogol në minutën e katërt dhe u duk se fitorja do të ishte tepër e thjeshtë. Por, “Dhelprat” kanë një goleador si Jamie Vardy, i cili realizoi tri herë.
Sulmuesi anglez gjeti barazimin në fundin e pjesës së parë nga pika e bardhë. 33-vjeçari nuk u përmbajt as në minutat e para të fraksionit të dytë, duke realizuar dy herë të tjera brenda katër minutave.
Në fillim i dhuroi avantazhin ekipit të tij me një gol me finte, ndërsa më pas shndërroi një tjetër penallti në gol. City në kolaps total dhe James Maddison realizoi një kryevepër në minutën e 77-të.
Nathan Ake shkurtoi rezultatin gjashtë minuta më pas. Mbrojtësi holandez shënoi me kokë, por Leicesteri fitoi një tjetër penallti në fund. E treta për miqtë, ekzekutimin e mori përsipër Youri Tielemans kësaj radhe dhe belgu nuk gaboi, duke vulosur triumfin 2-5 për Leicester City.
NDESHJET E TJERA – Leeds United ka marrë fitoren e dytë në kampionat, madje në transfertë kundër Sheffield United. Skuadra e Marcelo Bielsa doli nga karakteri dhe nuk pësoi gol këtë herë. Falë një goli të Bamford në limite mori tre pikë shumë të rëndësishme.
Tottenham ka barazuar në shtëpi, 1-1, kundër Newcastle. Lucas Moura i dha epërsinë skuadrës londineze pas një asisti të Harry Kane, por në fund “Qymyrxhinjtë” ia dolën ta shmangnin humbjen. Një penallti e dhënë në shtesë, me ndihmën e VAR, ka sjellë polemika, por Wilson për Newcastle e ktheu në gol dhe i dhe një pikë skuadrës së tij. /abcnews.al