“Largohem t’i hap rrugë brezit të ri”, kapiteni Gent Muça ndahet me Tiranën

schedule18:50 - 26 Shtator, 2020

schedule 18:50 - 26 Shtator, 2020

Tirana ndan rrugët me Gentian Muçën. Mbrojtësi, i cili kaloi momente të vështira larg futbollit, sezonin e shkuar u kthye në fushën e blertë dhe me paraqitjet e tij ndihmoi bardheblutë të ktheheshin në të pathyeshëm.

Tirana gjeti balancën në mbrojtje dhe fitoret erdhën radhazi, duke marrë vendin e parë dhe duke mos e lëshuar. Titull kampion dhe Gentian Muça ishte kapiteni në fushë i Tiranës, në sezonin e 100 vjetorit që kulminoi me trofeun më të rëndësishëm në vend.

“Pas një takimi që përfundoi në shtrëngim duarsh mes presidencës dhe lojtarit Gent Muça, ky i fundit ka kërkuar largimin e tij nga skuadra. Me kërkesë të futbollistit për të vazhduar karrierën si futbollist në fushën e blertë mbrojtësi shtatlartë ka hapur rrugën për brezat e rinj duke premtuar rikthimin e tij në bashkëpunime të mëtejshme me familjen e tij bardheblu! Ne i urojmë suksese të mëtejshme në karrierën e tij, njeriut që Tiranës i dhuroi gjithë jetën e tij.

Sot konfirmoj largimin tim nga Klubi i Futbollit Tirana. Pas viteve të tëra duke mbajtur veshur fanellën bardheblu lë pas një histori kampionësh dhe një vit të suksesshëm. Qëllimi kryesor i këtij largimi është për ti ofruar brezave të rinj mundësinë të prekin të njëjtën ëndërr që preka dhe unë. Shtëpia e trofeve është dhe do të mbetet gjithmonë edhe shtëpia ime! E di që derën në këtë klub do ta kem të hapur kurdo.

U rrita profesionalisht me dashurinë për ngjyrat bardheblu dhe i jam përgjithmonë mirënjohës këtij klubi. Falënderoj Presidentin për të gjithë mbështetjen e tij, stafin dhe të gjithë skuadrën që më kanë shoqëruar përgjatë rrugëtimit tim. I uroj ekipit suksese në Europa League dhe në çdo ndeshje më tej. FALEMINDERIT“, lexohet në komunikatën e klubit kryeqytetas. /abcnews.al