A ndihmojnë maskat në rritjen e imunitetit ndaj Covid-19?

schedule14:15 - 26 Shtator, 2020

schedule 14:15 - 26 Shtator, 2020

Maskat janë të nevojshme për të penguar transmetimin e  COVID-19, por sipas një studimi të ri  ato mund të sigurojnë imunitet ndaj virusit. Studimi është publikuar në një prej revistave më të respektuara mjekësore në botë, New England Journal of Medicine.

Në të vërtetë, bëhet fjalë për një teori premtuese sipas së cilës, mbajtja e maskave  zbut ashpërsinë e virusit. Sipas akademikëve, hipoteza që maskat mund të ofrojnë një imunitet ndaj Covid-19 varet tek teoria e variolacionit, një teknikë shekullore e imunizimit.

Variolacioni është një praktikë, e cila sugjeron infektimin e qëllimshëm të njerëzve me doza të ulëta  të një patogjeni për të gjeneruar një përgjigje imune që parandalon ri-infektimin, transmeton abcnews.al

Kjo teknikë është përdorur prej shumë kohësh për të krijuar imunitet masiv për njerëz që preken nga lia, por më pas vendin e saj e zuri vaksina moderne. Studimi mbështet edhe pretendimet e mëhershme mbi rolin përcaktues që ka ngarkesa virale tek ashpërsia e sëmundjeve të shkaktuar prej COVID.

Si ndikon sasia e virusit në organizmin e  njeriut?

Një studim i publikuar më herët nga Public Health England’s National Infection Service në Porton Down, Salisbury, argumentoi se sa më e lartë të jetë ngarkesa e virusit në organizëm, aq më të larta janë gjasat e vdekjes së parakohshme prej tij.

Një argument i tillë është e konfirmuar në rastin e gripit të thjeshtë. Në vitin 2010, u bë një studim shkencor mbi këtë çështje dhe u zbulua se ekspozimi i ulët ndaj virusit shoqërohet me simptoma të buta.

E fundit, por jo për nga rëndësia, ekspertët thonë se përdorimi i gjerë i maskave, ul rrezikun e ekspozimit ndaj virusit, por edhe të infeksionit, problemeve pasuese dhe vdekjes së parakohshme, transmeton abcnews.al

Maskat, një mburojë për ju dhe të tjerët

Ekspertët kanë deklaruar se secili prej nesh duhet të vendosë maskë sa herë që qëndron në ambiente ku është i rrethuar me njerëz. Maskat shërbejnë si një barrierë fizike që ju ndan nga të tjerët, ose më saktë nga spërklat që lëshojnë ata nëpërmjet të folurës, kollës dhe teshtimës, por edhe anasjelltas.

Pra, maskat ju mbrojnë ju prej të tjerëve por edhe të tjerët prej jush, në rast se ju jeni prekur nga COVID-19 por nuk keni simptoma. Një tjetër element që duhet të kemi parasysh është larja e duarve.

Nëse ju mbani maskë, por kur ktheheni në shtëpi, nuk lani duart, atëherë jeni shumë të rrezikuar. Është gjithashtu e  rëndësishme  që mos të prekni maskën me duar të palara sepse rrezikoni përhapjen e baktereve në të, që më pas futen më lehtë në rrugët e frymëmarrjes. s.ba/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!