Policia e Korçës ka zbuluar detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në lagjen nr.3 të qytetit të Pogradecit, ku një grua u gjet e vdekur në banesën ku jetonte edhe e bija 9 vjeçare.
Blutë bëjnë me dije se gruaja 45-vjeçare dyshohet të ketë vdekur disa ditë më parë, ndërsa në banesë ndodhej edhe vajza e saj e mitur, e cila vuan nga paaftësi fizike.
Lexo edhe: Vajza me aftësi të kufizuara mbetet e vetme pas humbjes së nënës! Babai i vdiq para një muaji
Policia e gjeti vajzën mbrëmë të paushqyer dhe të trembur duke e dërguar menjëherë në shërbimin e Pediatrisë, ku po merr kujdesin shëndetësor.
Ndërkohë, trupi i 45-vjeçares Maria Zia Markovska është dërguar në morgun e Spitalit dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Njoftimi i policisë
Më datë 25.09.2020, rreth orës 22:20, në lagjen nr. 3, në banesë, është gjetur pa shenja dhune, trupi i pajetë i shtetases M. M., rreth 45 vjeçe, e cila dyshohet të ketë ndërruar jetë nga shkaqe natyrale disa ditë më parë.
Viktima në banesë, jetonte me vajzën e saj shtetasen J. M., 9 vjeçe, e cila vuan nga paaftësi fizike dhe aktualisht ndodhet në Pediatri nën kujdesin mjekësor.
Trupi i shtetases M. M., është dërguar në morgun e Spitalit dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /abcnews.al