Kush e jep urdhrin te RENEA për ekzekutim? Eksperti tregon hapat nga negocimi te eliminimi

schedule18:55 - 25 Shtator, 2020

schedule 18:55 - 25 Shtator, 2020

Ngjarja e djeshme ku RENEA ekzekutoi 71-vjeçarin Lefter Zhidro që hapi zjarr ndaj policisë, nuk tronditi vetëm Elbasanin, por të gjithë vendin duke i mbajtur të mbërthyer pas ekranit për shumë orë deri kur i moshuari u eliminua fizikisht. RENEA tentoi përmes negocimit që të bindte të moshuarin që të dorëzohej, por ai thirrjeve iu përgjigj me zjarr dhe fundi ishte fatal.

Por si funksionon reparti RENEA në një situatë të tillë dhe kush janë hapat që ndiqen? Emri Vata, ekspert sigurie, i ftuar në studion e Abc News përballë gazetarit Endri Xhafo shpjegoi të gjitha hapat dhe atë që ndodh në prapaskenë me efektivët e RENEA-s.

E para, RENEA thirret nga policia lokale kur ka rrezikshmëri të lartë shoqërore si në rastin e djeshëm. Dje ishte rrezik për banorët. Kur mbërrin RENEA organizon dhe siguron perimetrin për të mos pasur viktima. Më pas bëhet paralajmërimi.

Reparti i RENEA-s ka grup negociatorësh, që kanë formim policor bazë, psikologjik, bëjnë të gjitha trajnimet që i duhen një negociatori. Policinë shqiptare e kanë ndihmuar shumë edhe policitë partnere. RENEA është një nga sukseset e policisë së shtetit”.

Por si negociohet, çfarë i ofrohet? “Të gjitha garancitë humane, negociatori është një person që edhe pyetjet i ka standarde, është tepër i specializuar për atë punë dhe gjithë problemi që bëhet, dhe puna e tij është për të ruajtur një jetë njeriu”.

I pyetur se kush e përcakton se negociatat dështuan dhe duhet ndërhyrë, ai tha “Ligji është i qartë. Në momentin që ka shkëmbim zjarri, e fundit është neutralizimi”. Urdhri për neutralizimin, sqaroi më tej Vata merret brenda strukturave të policisë.

Megjithatë, përtej asaj që pamë në ekran, Vata u shpreh se SHÇBA-ja kryen hetim për të analizuar punën e strukturave vendore të policisë nëse mund të ishte parandaluar ngjarja.

Veprimet e policisë kanë qenë të kujdesshme, megjithëse se do të analizohen që kur është evidentuar, a ka pasur dijeni drejtoria vendore. Ngjarja mund të parandalohej në vijimësi nga momenti kur ka ndodhur ngjarja, ato 5 orë policia ka meritën e saj.

Kjo ngjarje mund të ndodhë kurdo dhe në çdo vend sepse ka njerëz me probleme mendore, për arsye depresive, mund të ndodhë si ngjarje. Por në rastin konkret, nëse personi ka qenë më parë i rrezikshëm, ka qenë shoqëruar disa herë në polici, ka qenë i evidentuar për dhunën e tij, atëherë policia vendore duhet të kishte marrë masa më parë që të mos precipitonte kjo situatë që ndodhi dje” përfundoi ai. db/Abcnews.al