Të paktën dy persona janë plagosur rëndë në një sulm me thikë në Paris, pranë ish zyrave të revistës satirike Charlie Hebdo. Në lidhje me ngjarjen, një i dyshuar është arrestuar ndërsa mediat franceze raportojnë se një i dyshuar i dytë është vënë po ashtu në pranga.
Ndërkohë, raportohet se hetimet janë hapur për “vrasje në tentativë”, tha zyra e prokurorit të Parisit.
Nga ana tjetër, kryeministri francez Jean Castex shkroi në një postim në Twitter se ai do të shkonte drejtpërdrejt në ministrinë e brendshme për t’u marrë me situatën.
Lexo edhe: Sulmi pranë ish-zyrave të Charlie Hebdo, 1 pako misterioze i dërgohet stafit botues të redaksisë
Mediat vendase raportojnë se dy personat e lënduar punojnë për kompaninë e prodhimit Premières Lignes, zyrat e së cilës ndodhen në të njëjtën ndërtesë me ish-zyrat e Charlie Hebdo.
Paul Moreira, një gazetar në agjencinë e prodhimit, i tha BFM-TV se kolegët e tij që u plagosën ishin punonjës të rinj. Ai shtoi se kompania nuk kishte marrë më parë kërcënime.
Thuhet se një thikë e madhe kasapi u gjet afër stacionit të metrosë në zonë. Motivi i sulmit deri më tani mbetet i paqartë dhe nuk dihet nëse ka lidhje me vrasjet e vitit 2015. s.b./abcnews.al/