Forcat Speciale RENEA kanë mbërritur në vendin e ngjarjes në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan ku një i moshuari është mbyllur në shtëpi dhe vijon të qëllojë me breshëri ndaj policisë duke lënë deri më tani dy të plagosur.
Siç raporton gazetari Aldo Kozarja për abcnews.al, për fat të mirë nga të shtënat e 71-vjeçarit Lefter Zhidru shpëtuan për pak katër efektivë të forcave “Shqiponja”, por plumbat vijuan duke plagosur 21 vjeçarin A.K. dhe 22 vjeçarin L.S.
I moshuari u grind fillimisht me bashkërshorten dhe më të mbërritur policia u mbyll në shtëpi duke qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre.
Pavarësisht tentativave për të negociuar, i moshuari i përgjigjet forcave të rendit me të shtëna dhe duket se do të jetë RENEA ajo që do të zgjidhë krizën e krijuar.
Mësohet se gruaja e tij ndodhet në komisariatin e policisë për të shpjeguar më tej në lidhje me rrethanat e ngjarjes dhe të dhëna të tjera të nevojshme për policinë që mund të ndihmojnë zgjidhjen e problematikës së krijuar. /abcnews.al