2 të plagosur nga të shtënat ndaj policisë në Elbasan, identifikohet autori

schedule14:10 - 24 Shtator, 2020

schedule 14:10 - 24 Shtator, 2020

Policia ka dhënë detajet e para në lidhje me të shtënat me armë ndaj forcave të rendit në Elbasan, të cilat shkaktuan dy të plagosur.

Mësohet se të shtënat kanë ndodhur në lagjen “11 Nëntori” të qytetit.

Pas një sherri në familje me bashkëshorten, 71 vjeçari Lefter Zhidru është futur në banesë, në të cilën kanë shkuar edhe forcat e rendit. Në këtë moment, ai ka marrë armën duke qëlluar në drejtim të policisë duke lënë të plagosur, një 22 vjeçar dhe një 21 vjeçar.

“Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur menjëherë forcat e FNSH dhe të RENEA-s, për të bërë neutralizimin dhe kapjen e shtetasit që vijon të qëllojë me armë në drejtim të Policisë”, bën me dije policia.

Ngjarja
Gjithçka ka nisur në orën 13:20 në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan ku dy bashkëshortët Zhidru kanë patur një konflikt me njeri-tjetrin.

Gjatë konfliktit mes tyre, në vendin e ngjarjes ka shkuar policia. Me të parë policinë, 71-vjeçari Lefter Zhidru është futur në banesë duke marrë armën për të qëlluar ndaj policisë. Gjatë të shtënave kanë mbetur të plagosur dy persona, të cilët sipas policisë janë kalimtarë të rastit.

Pavarësisht thirrjeve të forcave të rendit, i moshuari vijon të qëllojë ndaj tyre duke rrezikuar jetën e policëve dhe banorëve të tjerë përreth.

Mësohet se në vendin e ngjajres janë FNSH dhe RENEA, krahas forcave Shqiponja.

Elbasan/Informacion paraprak

Më datë 24.09.2020, rreth orës 13:20, në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan shtetasja F. Zh., ka patur një konflikt me bashkëshortin e saj, shtetasin Lefter Zhidru, 71 vjeç, i cili në momentin që ka shkuar Policia është futur në banesë dhe ka qëlluar dhe vijon të qëllojë me armë zjarri kallash në drejtim të forcave të Policisë.

Forcat Shqiponja dhe Patrullat e Përgjithshme janë pozicionuar dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë dhe vijojnë t’i bëjnë thirrje këtij shtetasi të dorëzohet, i cili vijon të bëjë rezistencë duke qëlluar vazhdimisht në drejtim të Policisë.

Si pasojë e të shtënave janë plagosur jashtë rrezikut për jetën dy shtetas, L. S., 22 vjeç dhe A. K., 21 vjeç, kalimtarë të rastit, në momentin që ky shtetas ka filluar të qëllonte me armë në drejtim të Policisë.

Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur menjëherë forcat e FNSH dhe të RENEA-s, për të bërë neutralizimin dhe kapjen e shtetasit që vijon të qëllojë me armë në drejtim të Policisë.

Shtetasi Lefter Zhidru vijon të qëllojë me armë duke bërë rezistencë edhe pas thirrjeve të pandërprera të Policisë.

Banesa nga e cila po qëllon ky shtetas është e rrethuar dhe Policia ka vendosur një perimetër të gjerë rrethimi, për të parandaluar dëmtimin e kalimtarëve të tjerë të rastit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!