Rënia e Vllaznisë nga kategoria është shoqëruar me komente dhe akuza të shumta, nga tifozë dhe njerëz të njohur të Shkodrës. Ata bëjnë me faj klubin e tyre dhe bashkinë e qytetit.
Një katastrofë e tillë nuk mund të mos kishte reagime.
Emra të njohur të Shkodrës, të futbollit dhe jo të tillë, nuk kanë ngurruar të shpërthenin në akuza, ndërsa Vllaznia zbriti nga Superliga.
Ish-sulmuesi i shquar i ekipit të viteve ’80, Roland Luçi, ia hedh fajin vetëm të vetëve.
“Nuk e ka fajin Partizani, edhe pse mund të ketë mëkatuar, – shkruan ai, – ashtu si mëkatoi Skënderbeu e Kukësi në përballjet komediante ndaj Vllaznisë. Nuk mund të mobilizohet gjithë Shqipëria që të mos bjerë Vllaznia. Aq më tepër me ritual të përvitshëm. E meritonte të binte”!
Humoristi i njohur shkodran, Julian Deda, shpërthen ashpër.
“Hienat arritën ta degradojnë, ia dolën ta turpërojnë, hienat e denatyralizuan Vllazninë. Në thelb nuk e ka fajin Partizani, askush tjetër, po pse kështu luhet futboll, duke shpresuar tek ndonjë skuadër tjetër. Kjo skuadër nuk mund të shkojë në atë nivel sa të kërkojë mëshirë”.
Një adresë tifozi shkruan: “Ndërsa autobusi bosh i Vllaznisë kalon Qafën e Thanës, lojtarët e saj vazhdojnë të shënojnë. Jemi në golin e 69-të”.
Faqja zyrtare e Vllaznisë ka mbetur me postimin e fundit në 19 maj, një reagim ndaj akuzave të Kamzës para ndeshjes me Kukësin.
Tifozët i janë vërsulur egër klubit dhe bashkisë.
Komentet janë të ashpra, duke theksuar se dikur Vllaznia ishte krenari e futbollit shqiptar, ndërsa sot ka rënë më poshtë edhe se ekipet ma histori.
Tifozët bëjnë me faj Bashkinë dhe klubin për gjendjen, duke mos pranuar ato që i quajnë justifikime duke sulmuar të tjerët.
Burime nga Shkodra njoftojnë ndërkaq se tifozët shkodranë po përgatiten për protestë përpara Bashkisë ditën e nesërme. /abcnews.al