Ndërtimi i terreneve sportive nga privati, Ministria e Financave pajtohet me Fidel Yllin

schedule12:42 - 22 Shtator, 2020

schedule 12:42 - 22 Shtator, 2020

Ministria e Financave nuk bën hapa prapa. Komuniteti i Futbollit mes të tjerash kërkon që TVSH për sportin të bëhet 6 për qind, sikurse ndodh me bujqësinë dhe hotelerinë. Vetë kryeministri Rama e pat premtuar diçka të tillë rreth dy vite më parë, por më pas tavolinat e rrumbullakëta mes përfaqësuesve të FSHF dhe Ministrisë së Financave nuk prodhuan atë që komuniteti sportiv kërkon.

Ditën e sotme, Ministria Anila Denaj rikonfirmon pozicionin e saj kundër kërkesës për TVSH-në. “Kemi bërë 0 tatimin për të ardhurat personale për dy vite, por për 10 vite janë shumë. Ne jemi të hapur për të diskutuar, u kemi ofruar edhe skemën e sponsorizimeve.

 

Sa i takon uljes së TVSH-së në 6 për qind, nuk e shoh të arsyeshme. Ulja e TVSH-së në investimet private nuk është se nxit financimet në sport”, tha Denaj, e cila nuk është në një linjë me Fidel Yllin, deputetin e PS që është “graduar” nga kryeministri Edi Rama për të gjetur një zgjidhje me Ligën Profesioniste të Futbollit, në mënyrë që kampionati i Kategorisë Superiore të nisë sa më shpejt.  Gjithsesi në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, në fund u votua pro uljes së TVSH-së për investimet në terrenet sportive, edhe për privatin.

Ylli, i ftuar mbrëmë në emisionin “Pressing” në ABC News, u shpreh kështu: “Nëse privati do të bëjë stadium, palestër, pishinë, palestër, do e bëjë si FSHF, me 6 për qind. Do heqim edhe taksën lokale, që është 200 milion lekë. Bëhet kjo që mos t’i kërkohen shtetit pallate sporti.

Jemi vendi më i varfër në Europë sa i takon terreneve sportive. Kam folur me ndërtues që janë gati të ndërtojnë pishina, fusha basketbolli. Unë isha për ta bërë 0 TVSH-në, por nga 20 për qind u bë 6 me luftë. Dhe tani do fusim këtë për biznesin”. /abcnews.al