Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli i sheh të papranueshme ndryshimet e Kodit Zgjedhor të propozuara nga Partia Socialiste në tryezën e Këshillit Politik.
Në një intervistë për gazetarin e ABC News, Juxhin Mustafaraj, Topalli flet për një dakordësi nga lidershipi i Partisë Demokratike që këto ndryshime të socialistëve të kalojnë në heshtje, duke i mbyllur derën çdo individi apo force të re politike.
Sipas Topallit, pas zgjedhjeve të vitit 2021 Rama dhe Basha do të bashkëqeverisin së bashku.
Topalli flet edhe për ringritjen e demokratëve, përmes një aksioni të brendshëm në selinë blu, të cilin e sheh rezultativ edhe nëse do të ndodh 7 muaj përpara zgjedhjeve.
“Propozimet në Kodin Zgjedhor i mbyllën derën forcave dhe kandidatëve të rinj. Heshtja e PD për mbrojtjen e sistemit, do t’i japë Ramës mandatin e tretë. Më 25 prill qytetarët nuk do të kenë alternativë, do zgjedhin mes të njëjtëve emra.
Pas zgjedhjeve të 25 prillit, Rama do të ftojë në bashkëqeverisje Lulzim Bashën. Sikur Partia Demokratike të kishte një drejtues të pakorruptuar të jeni të sigurtë që Rama do të humbte zgjedhjet. Do të votoja po të kishte një lëvizje për ndryshim, një lëvizje për të rrëzuar këto tre oligarkë dhe do të punoja për këtë. Është dëshpëruese por i shoh edhe të frikësuar kur ata kërkojnë me çdo kusht që të mos lejojnë askënd të futen në abdomenin e tyre.
Fillimi i krijimit të këtyre forcave politike ka sjellë këto ndryshime të Kodit, ato janë propozuar nga PS dhe janë mbështetur në heshtje nga PD. Unë besoj në një brez që nuk ka pse të djeg veten e vet për të mbrojtur tre kryetar partish, ndaj flas dhe prandaj do flas në cdo rast ku ka brenda ca parime, kur luftohet korrupsioni.”, deklaroi Topalli.
“Forcat politike futën krimin brenda në parlament kjo tregon që kërkohet përgjegjshmëri dhe forcat politike nuk e kanë bërë këtë atëherë kriza është brenda forcave politike.
Në sondazhet e fundit rezulton që qytetarët mendojnë se forcat politike janë shumë të korruptuara dhe kjo nuk ka qenë si koncept më përpara. Këto kanë mumifikuar tre kryetarë që nuk e lëshojnë postin e kryetarit dhe nuk e përdorin në interes të shqiptarëve, dhe kjo është drama e shqiptarëve”, thotë më tej ish-kryeparlamentarja.
Pyetjes së gazetarit Juxhin Mustafaraj se cfarë do të bëjë ajo me gjithë këto ndryshime që i jep mandatin e tretë Edi Ramës, Topalli tha:
“Edhe tani që flas përpiqem ta bëj këtë. Brezit tim i janë dashur 20 vite të gjej zërin për të folur për shkak të sistemit të kaluar. Sigurisht që nuk do të hesht dhe nuk do të rri pa folur për ato gjëra që kërcasin.
Nuk do të lejoj që jeta e shqiptarëve të sillet rreth katër emrave. Është kjo arsyeja që do të flas. Ata janë kufizuar në interesin e tyre privat, me sjelljen e tyre janë kthyer në tre Lukashenko të vegjël.
Ata po reagojnë që të mbyllin çdo forcë politike për tu futur në parlament që të marrin mandatin e tretë. Një lëvizje për ndryshim ka për të ndodhur në Shqipëri. Tre oligarkë që janë Lulzim Basha, Edi Rama dhe Ilir Meta së bashku me bashkëshorten e tij kanë vendosur që varfëria të vendoset në ato nivele ku shqiptarët smunden të jetojnë në shtëpitë e tyre, kjo nuk mund të lejohet dhe tolerohet gjatë. Ata e kanë çuar vendin afër greminës.
Kjo ka fajtor, dhe ka emra. Opozita ka ik nga fusha e betejës. Nëse opozita do të ishte në parlament dhe do të kërkonte llogari ministrave dhe do të denonconte cdo akt korruptiv atëherë do kishim rezultate”.
Më tej Topalli gjatë intervistës së saj u shpreh se ka anatemuar dhe është shprehur kundër lidershipit të Partisë Demokratike sepse kjo e fundit i ka dhuruar pushtetin absolut Edi Ramës, ndërsa u shpreh se reagimet e saj brenda forcës politike dhe më pas kanë treguar se ajo ka patur të drejtë në deklarimet e saj.
“Së pari bëni një dallim, lidershipi dhe Partia Demokratike janë dy gjëra të ndryshme. Zhvillimet politike kanë treguar se kam patur të drejtë për të gjithë reagimet e mia politike brenda forcës politike, përpara vitit 2017. Kam thënë pas 2017 që gënjejnë se nuk hyhet me Edi Ramën në zgjedhje dhe për këtë dogjën mandatet dhe e përdorën si justifikim dhe dhuruan gjithë pushtetin lokal qeverisë aktuale, kjo është çmenduri.
Me këtë i lanë mundësinë Edi Ramës që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe të votohet kodi Elektoral siç e dëshiron dhe mos të ketë asnjë kontroll. Kjo tregon se kam patur të drejtë. Oligarkët e vërtetë janë tre personat që kanë karriget e pushtetit, ata që e fillojnë ditën në disa vila oligarkësh dhe e mbyllin ditën përsëri në disa vila të tjera.
Ata kalojnë në marrëveshje politike për interesa personale dhe prandaj gënjehet kur thuhet se do të luftohen oligarkët, dhe unë nuk i besoj”, tha Topalli.
Pyetje: Basha ka deklaruar se në listat që do të hartohen në Partinë Demoktratike, do të jetë dhe Sali Berisha, a është një vendim i drejtë ky sipas jush?
“Unë nuk e dëgjoj shumë të them të drejtën. Unë jam sot me ju për të folur dhe për të paralajmëruar se të tre këta po mbrojnë sistemin e tyre, treshen e tyre të korruptuar.
Ndërsa për zotin Berisha mendoj se ai e ka bërë vazhdimisht betejën e tij kundra qeverisë. Mendoj se beteja duhet të jetë më e gjerë se sa kaq”, mbylli bisedën e saj ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
N.D./abcnews.al