Në të gjithë vendin vijon zbatimi i detyrave të përcaktuara në Planin e masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rendit publik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit etj.
Kështu, janë angazhuar të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, forca e posaçme “Shqiponjat”, FNSH, RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e Policisë Kufitare.
Në të gjithë vendin, njoftohet të jenë ngritur 83 pika kontrolli në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale, si dhe janë shtuar patrullimet në kufirin jeshil dhe atë blu.
Janë ushtruar kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje apo përdorim të lëndëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar tre armë të ftohta dhe disa doreza metalike e shkopinj bejsbolli që i mbanin drejtues mjetesh me vete, si dhe sasi të vogla lëndë narkotike kanabis e doza me heroinë e kokainë.
Në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 29 persona, janë proceduar penalisht 6 të tjerë, si dhe janë ndaluar 2 qytetarë të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin 79 persona me precedent penal të mëparshëm dhe pa dokument identifikimi me vete.
Si dhe janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 23 automjete në gjithë vendin. /abcnews.al/