Ka bërë bujë në Dubai arrestimi i Elti Dizdarit alia Denis Matoshit për llogari të autoriteteve italiane në kuadër të operacionit të madh kundër kartelit të shqiptarëve “Los Blancos”.
Abcnews.al ka siguruar foton e Elti Dizdarit të arrestuar nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe pak orë më parë me kërkesë të italianëve. Fotoja e Elti Dizdarit është shkrepur në Drejtorinë e Policisë së Dubait duke patur pas shpine logon e Departamentit të Hetimit të Krimeve.
Në një konferencë të posaçme për shtyp, koloneli Saeed Al Qamzi, nga Departamenti i Personave në Kërkim në Policinë e Dubait, ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin atje të shqiptarit Denis Matoshi alias Eldi Dizdari.
Lexo edhe: “Bosët e drogës kanë gjetur parajsën në Dubai”, historia e Eldi Dizdarit që u rrit pa baba, lidhja me ish-misin e nxori në skenë
Kolonel Saeed Al Qamzi theksoi se arrestimi i Eldi Dizdarit u bë në kuadër të operacionit “Los Blancos” pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet italiane.
“Në bashkëpunim me liderë të tjerë të bandave shqiptare, Dizdari mundësoi transportin dhe shpërndarjen e qindra tonëve kokainë në portet e Europës“, njoftoi kolonel Al Qamzi.
Operacioni “Los Blancos” u iniciua nga Italia, përmes të cilit u shkatërrua karteli ndërkombëtar i drogës i përbërë nga shqiptarë.
Mediat lokale të Firences, ku edhe nisi zanafilla e gjurmimit, zbulimit dhe shkatërrimit të këtij karteli shkruan se gjithçka nisi nga një sherr banal mes shqiptarëve. Po ashtu, gjatë hetimeve për këtë sherr, policia zbuloi një telefon celular “BlackBerry”, përmes të cilit anëtarët e organizatës kriminale komunikonin me njeri-tjetrin.
Lexo edhe: Vrasja e vëllait të Talo Çelës, Hoxha: Mesazh për të treguar se s’do ketë më mëshirë
Media italiane shkruan gjithashtu se karteli shqiptar ishte mjaft i organizuar dhe operonte “50 me 50” me kartelet e Amerikës Latine, raporton abcnews.al.
Hetimet e nisura në vitin 2015, morën shkas nga një bandë shqiptarësh që vepronte në Firence, Modena dhe Romë, ekzistenca e të cilës u zbulua nga një episod banal që lidhej me një sherr të dhunshëm në sheshin “Medaglie d’Oro” në Firence mes disa shtetasve shqiptarë, të cilët kishin precedentë për shfrytëzim prostitucioni.
Mes personave të hetuar, rezultonin dhe disa emra të cilët kishin akuza për trafik ndërkombëtar droge, në sasi të mëdha.
Sekuestrimi i një telefoni Blackberry që përdorej nga një prej të hetuarve në Firence, që në fillim kishte siguruar prova se grupi kriminal përdorte si standard komunikimi messenger-in e Blackberry-t për të drejtuar punët e paligjshme dhe monitorimi i komunikimeve të tilla dha provën e parë të rëndësishme për nisjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve, raporton abcnews.al.
Mesazhet në kod mes tyre, trafikantët i dërgonin nëpërmjet platformave “SKYecc” dhe “ ENCROCHAT”.
Gjatë fazave të para të hetimeve u sekuestrua dhe sasia prej 9 kilogram heroinë në bagazhin e një automjeti.
Në atë kohë u arrestuan një 65 vjecar dhe një 48 vjecar. Në pranga përfunduan dhe dy shtetas shqiptarë të moshës 34 dhe 43 vjec që udhëtonin 30 kilometra larg nga automjeti për të mbajtur nën kontroll ngarkesën.
Sipas hetuesve droga ishte blerë në Zvicër dhe ishte drejtuar për në Firence për t’u shitur: me një vlerë prej 9 milion euro.
Nga ai episod hetimet vijuan për të zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe kanalet e furnizimit.
Përgjimet lejuan zbardhjen e kompleksitetit të organizatës, strukturën e “kartelit” dhe shtrirjen e madhe të rrjetit të shpërndarjes së drogës.
Sipas hetimeve në drejtim të shoqatës është një shqiptar, 40 vjec, i cili kishte sasi të mëdha kokaine që e kishte blerë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kartelet në Ekuador, i cili arrinte të shpërndante më pas në të gjithë Europën.
Kreu i padiskutueshëm i grupit, duke përdorur disa sisteme të sotisfikuara komunikimi, ruante kontaktet me trafikantët e drogës së Amerikës së Jugut, organizonte shpërndarjen e drogës, dhe ndante sasitë në grupet shpërndarëse të vendosura në Itali dhe në shtete të ndryshme të Bashkimit Europian si dhe ndiqte mënyrat e veprimit duke i dhënë udhëzime bashkëpunëtorëve të tij në Shqipëri, Itali dhe Holandë rreth investimeve me paratë që fitoheshin nga ky aktivitet kriminal.
Grupi organizonte ngarkesa të mëdha kokaine prej disa kuintalësh duke ndjekur rregullin “50 e 50”, gjysma e ngarkesës ishte në pronësi të organizatave shqiptare dhe gjysma e atyre të Amerikës së Jugut.
Futja e drogës në Europë
Transportet kryheshin nëpërmjet itenerareve në det nga Amerika e Jugut në Europë, falë dhe faktit se se trafikantët ishin në gjendje të sigurinin “daljet” e ngarkesave të drogës kryesisht në portet tregtare të Europës Veriore, duke u mbështetur në bashkëpunëtorë të vendosur në pika startegjike për shkak të pushtetit të fortë korruptues të organizatës.
Pikërisht në këto porte e sidomos në Anversë, Rotterdam dhe Bremë kanë ndodhur dhe kalimet e sasive më të mëdha të drogës të llojit kokainë.
Droga më pas mbërrinte në destinacionin përfundimtar dhe automjete të pajisura me sfond të dyfishtë dhe të modifikuar për të fshehur drogën, bënin pjesën tjetër të punës.
Një pjesë e mirë e parave të fituara nga trafiku i drogës përdorej për të paguar shpenzimet ligjore në rast se anëtarët arrestoheshin si dhe për të mbajtur familjet e tyre.
Në rast se dicka e tillë ndodhte, pra nëse dikush arrestohej, anëtarëve të grupeve kriminale iu imponoheshin dënime të rënda dhe ndaj familjarëve në rast se dikush do të mendonte të bashkëpunonte me drejtësinë. /abcnews.al