Lideri i Forza Italia, Silvio Berluskoni i kërkon presidentit Matarella që t’i japë mandatin e kryeministrit. Kavalieri është i bindur se një qeveri e qendrës së djathtë do të arrinte të merrte dhe mazhorancën në parlamentin italian.
Për momentin nuk ekziston asnjeri me eksperiencën e duhur për të bërë kryeministrin. Unë jam i gatshëm nëse Presidenti Matarella më beson detyrën. Është ky apeli që lideri i Forza Italia, Silvio Berlusconi, i ka drejtuar apelit të shtetit me idenë e krijimit të një qeverie të qendrës së djathtë. Kërkesa e tij ndaj presidencës bëhet në rast se Lëvizja 5 Yjet dhe Lega nuk do arrijnë dot t’i japin një qeveri Italisë. Berlusconi shprehet i bindur se qendra e djathë do të gjente mbështetjen e duhur për të nisur punën në drejtimin e vendit.
Lideri i Forza Italia i bëri këto deklarata në prag të vizitës së tij në Vale d’Aosta ku të dielën votohet në zgjedhjet rajonale. Sipas tij, kontrata e qeverisë mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Legës nuk ka të bëjë fare me qendrën e djathtë, madje janë dy qëndrime krejt të ndryshme. Berlusconi theksoi se mes tij dhe Salvinit aktualisht ka shumë largësi.
Duke folur për veten e tij ai tha se nuk ka asnjë kandidat tjetër të krahasueshëm me emrin e Silvio Berluskonit. Ai shtoi se presidenti Matarella duhet t’i dorëzojë detyrën sa më shpejt pasi qendra e djathtë do ia dilte të merrte mazhorancën në parlament, dhe qeveria e krijuar prej tij do të funksiononte deri në fund të mandatit.
Pyetjes së gazetarëve se pse Di Maio dhe Salvini e kanë kaq të vështirë të gjejnë një emër për kryeministrinë, Berlusconi i përgjigjet se ka mungesë personazhesh. Personazhe që do të duhej të garantonin besueshmëri dhe ekuilibër. Dhe në fund të deklaratës, Berluskoni rithekson se ka një eksperiencë nëntë-vjeçare në drejtim të vendit dhe se ka drejtuar tre herë samite ndërkombëtare si G7 e G8. Por mbi të gjitha është shumë i disponueshëm./abcnews.al