“I kanë vënë shkurre përpara dhe i kanë zënë pritë”. Kështu është shprehur për mediat daja i Klevis Kapllanit, 33-vjeçarit që iu bënë atentat në Rrogozhinë.
I riu u gjet i pajetë në automjetin e tij rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm nga një banor i zonës në fshatin Sinaballaj.
Në një prononcim për mediat daja i viktimës thotë se vrasja ka qenë e planifikuar mirë, pasi të riut i është është bllokuar rruga me shkurre dhe më pas është qëlluar.
Ai i bën thirrje shtetit që të jetë më vigjilent, për njerëzit që janë me probleme siç thotë ai. Ndërsa rrëfen se i riu ishte baba i një fëmije 2 muajsh.
“I kanë vënë shkurre përpara dhe i kanë zënë pritë. Është diçka e paramenduar. Shteti të marrë masa, të jete vigjilent, kur njerëzit kanë probleme. Një çun 32 vjeç që ka lënë një fëmijë dy muajsh i shkarkojnë kallashin në mes të natës”, shprehet ai.
Duke iu referuar burimeve nga grupi i hetimit, abcnews.al ka raportuar më herët se për vrasjen e të riut dyshohet të jetë përdorur pistoletë me selenciator, pasi banorët kanë dëshmuar se nuk kanë dëgjuar krisma arme.
Viktima është gjetur nga një banor i zonës, i cili ka deklaruar se kishte dalë si zakonisht për të shitur qumështin, ndërsa ka parë trupin e mbuluar me gjak në makinë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 gëzhoja pistolete, ndërsa zona është pa kamera sigurie, ç’ka e vështirëson më shumë punën për identifikimin e autorit/ëve.
Në trupin e 33-vjeçarit janë konstatuar tre plumba, të cilët i kanë marrë jetën.
LEXO EDHE: Autorët i zunë pritë pasi u kthye nga kafja, si u ekzekutua pranë banesës i riu në Rrogozhinë
Mësohet se në vendngjarje është gjetur edhe një pistoletë. Do të jetë ekspertiza që do të nxjerrë nëse ka qenë e viktimës apo është përdorur nga autorët.
Lidhur me ngjarjen janë marrë në pyetje edhe familjarët. Ata janë shprehur se djali kishte dalë rreth orës 09:00 të mbrëmjes së djeshme për të pirë kafe në një lokal pranë fshatit, ndërsa nuk është kthyer më.
Nuk dihet ende ora e saktë kur ka ndodhur vrasja, por dyshohet të ketë qenë diku 11:00 apo 12:00 e natës kur ai është kthyer nga kafja.
Ndërkaq, 33-vjeçari rezulton me të shkuar të errët. Ai është dënuar në Itali për trafik droge, ndërsa kishte dy vite që ishte kthyer, ku nuk rezulton të ketë pasur konflikt me persona të tjerë.
Si rrjedhojë dyshimet paraprake janë se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të kaluarës së tij në vendin fqinj. g.v/abcnews.al