Të afërmit e fëmijëve të mbetur në Siri apel shtetit: Ndërhyni, kthejini pranë nesh

schedule22:35 - 14 Shtator, 2020

schedule 22:35 - 14 Shtator, 2020

Prej 7 vitesh ai nuk reshti kurrë të kërkonte 5 nipërit dhe mbesat që pa nënë e babë, po enden në kampin “Al-Hol” të Sirisë.

Disa vite më parë, djalin dhe nusen ia vranë teksa luftonin si pjesë e ISIS. Shpresa e vetme e 5 vogëlushëve është që një ditë të kthehen në Pogradec.

Gjyshi i tyre 82 vjeçar rrëfen për ABC News se si i biri shkoi për herë të parë në Siri dhe bisedat e fundit që ka pasur me nipërit e mbesat.

“Djalin dhe nusen i vranë. Hoxhallarët i tërhoqën për të shkuar në Siri”, tregon ai.

Me lot në sy, ai tregon se nuk mund të largohet nga kjo jetë, pa i parë ata për herë të fundit.

“Me fëmijët komunikoj. Na marrin në telefon duke qarë. Këtu kam bërë kërkesë këtu, 7 vjet, të gjithë këto dyer i kam lëvizur. Edhe në Gjykatë të Lartë kam shkuar”, shprehet ai.

Të tjerë familjarë qe kanë të afërm në Siri shprehen se për 8 vite me radhë thirrjet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.

“Bashkëshortja ime ka të gjithë familjen. Thirrjet tona deri tani kanë shkuar në vesh të shurdhët. Apele i janë bërë qeverisë, Ministrisë së Jashtme”, tregon ai.

Historitë e tyre të dhimbshme, sa të njëjta dhe të ndryshme i bashkuan para dritareve të zyrave qeveritare, ku ngritën zërin për të kërkuar ndihmën e shtetit.

Të  afërmit e Eva dhe Endri Dumanit që 8 vite më parë u morën fshehurazi nga babai i tyre Shkëlzeni, pas vrasjes së tij kërkojnë rikthimin e fëmijëve në atdhe.

“Jemi të interesuar të kthehen fëmijët tanë. Janë 50 shqiptarë. Ata fëmijë duhet të kthehen të familjet e tyre, tek shtëpitë e tyre. Janë radikalizuar, na morën fëmijët në qafë”, shprehet ai.

Protesta para Kryeministrisë u zhvillua në ditën e parë të vitit shkollor, kur fatkeqësisht 51 vogëlushë shqiptarë që janë në kampin e “Al Holit” në Siri, nuk munden të ulen në bankat e shkollës.

/abcnews.al/