Përballë rrezikut turk, Greqia riarmatoset dhe Franca e falenderon!

schedule11:22 - 14 Shtator, 2020

schedule 11:22 - 14 Shtator, 2020

Në një moment tensioni ekstrem me Turqinë, Greqia e cila ka mbështetjen e presidentit francez, Emanuel Macron deklaroi një program riarmatimi dhe përforcimi të personelit ushtarak dhe blerjen e 8 avionëve ushtarakë Rafale, një nga asetet më të mira të aeronautikës ushtarake franceze.

Kryeministri grek Mitsotakis konfirmoi një program të gjerë për blerjen e armëve dhe një modernizim të sektorit të mbrojtjes në një moment kur tensioni me Turqinë vijon të përshkallëzohet si pasojë e pretendimeve reciproke në Mesdheun lindor.

Lideri grek konfirmoi se përveç 8 avionëve që do të zëvendësojnë Mirage-t e vjetër do të merren dhe 4 anije dhe po aq helikopterë. Mitsotakis premtoi dhe rekrutimin e 15 mijë ushtarëve në pesë vitet e ardhshme si dhe më shumë fonde për industrinë e mbrojtjes.

Ai theksoi se është momenti për të përforcuar forcat e armatosura dhe një program i gjerë do të bëhet një mburojë kombëtare. Gjatë fjalës së tij në Selanik, Mitsotakis premtoi se do të krijohen me mijëra vende pune ndërsa detaje të tjera për shpenzimet e programit dhe origjinën e armëve do të publikohen të dielën.

Parisi në këtë moment ka një nevojë të dëshpëruar për eksportime dinamike për të mbushur sërish fondin e industrisë së mbrojtjes. Ministri francez i mbrojtjes komentoi lajmin duke thënë se për herë të parë një vend evropian dëshiron të blejë avionë ushtarakë Rafale.

Sipas ministrisë franceze të mbrojtjes ky është një sukses për industrinë aeronautike franceze.

Turqia synon të fshijë hartat ekzistente të Mesdheut”, nis manovrat ushtarake në atë det dhe Greqia që ndodhet pikërisht përballë, riarmatoset Athina, dhe e bën në një mënyrë të paprecedentë, shenjë e rrezikut që ndihet në ekstremet e territorit të saj detar, 500 kilometra larg kryeqytetit, por vetëm dy kilometra larg bregut të Anadollit. Strategjia greke, përballë rrezikut të mundshëm të një sulmi, duket shumë dimensionale. Duke filluar që nga shtimi i ndjeshëm i shpenzimeve ushtarake.

Turqia dhe Greqia, të dyja vende anëtare të NATO-s ndodhen shumë pranë përplasjes për sa i përket rezervave të hidrokarbureve në Mesdheun lindor. Ankara pretendon se ka të drejtë të shfrytëzojë këto rezerva të cilat Athina i konsideron nën sovranitetin e saj.

Të dyja palët nuk gjejnë asnjë pikë takimi. Kryeministri grek Mitsotakis, pikërisht orët e fundit akuzoi Turqinë se po kërcënon kufijtë lindorë të Evropës dhe po vë në rrezik sigurinë rajonale:

Duhet një dialog, por nuk mund të realizohet kur ke një pistoletë të drejtuar në kokë”, u shpreh ai.

Presidenti turk Erdogan paralajmëroi Macron që të mos “grindet” me Turqinë: “Mos kërkoni sherr me popullin turk, mos kërkoni sherr me Turqinë”.

Tensioni përshkallëzohet prej javësh, që nga momenti kur Turqia dërgoi, në 10 gusht, një anije eksplorimi, të shoqëruar nga anije lufte në ujëra që Greqia i konsideron territor të saj. Athina reagoi duke nisur manovra ushtarake për të mbrojtur territorin e saj detar. Çështja ishte në qendër të debateve në samitin e Med7 dhe do të jetë në rend të ditës në Këshillin Evropian në datat 24 dhe 25 shtator.

Bashkimi Evropian kërkon dialogun, me Italinë dhe Spanjën që përpiqen të bëjnë ndërmjetësuesit, por kërcënon sanksione. Pavarësisht kësaj qëndrimet largohen gjithnjë e më shumë: orët e fundit Turqia konfirmoi manovra të tjera ushtarake pranë Qipros përballë Sadrazamkoi.

Qipro reagoi duke i konsideruar si manovra të paligjshme të cilat shkelin sovranitetin e saj. Për Greqinë dhe Qipron dialogu mund të ndodhë vetëm nëse Turqia do të tërhiqte anijet e saj dhe do të ndërpriste provokimet e njëpasnjëshme. Sigurisht dhe manovrat ushtarake në ato zona. Edhe pse Athina dëshiron të ripërcaktojë zonën e saj ekonomike ekskluzive duke u nisur nga brigjet e ishullit grek të Kastelrizos, që ndodhet vetëm 3 kilometra larg bregut turk, dhe 120 kilometra larg ishullit të Rodit, e 520 kilometra larg Greqisë kontinentale, gjë që përkthehet në një qëndrim dominues të Greqisë në pjesën më të madhe të Mesdheut lindor.

Ankara nga ana e saj premton se ishujt nuk mund të kenë zona ekonomike ekskluzive dhe konfirmon nisjen e aktiviteteve të eksplorimit në zona që Athina i konsideron të saj. Gjithsesi në shumë debate për çështje detare, gjykata ndërkombëtare e drejtësisë ka dekretuar një ndarje të zonave detare të disiplinuar nga përmasat.

Por pavarësisht kësaj, Mitsotakis nuk duket se i frikësohet rrugës ligjore dhe ditët e fundit ka këmbëngulur disa herë se Greqia kërkon një zgjidhje të negociuar me Turqinë, por nëse qeveria e Ankarasë nuk e do “problemi i zonave detare duhet të zgjidhet para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë”.

Ndërkohë çfarë bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Greqia dhe Italia për sa i përket tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë…..

Kriza që vendos përballë njëra tjetrës Greqinë dhe Turqinë në Mesdheun Lindor ka arsye të reja dhe antike. Objekti kryesor në përplasjen aktuale përfaqësohet nga ripërcaktimi i zonave ekonomike ekskluzive ekzistuese në vend.

Çdo vend që ka dalje në det ka të drejtë të shfrytëzojë rezervat e tij, por duhet ta ushtrojë këtë të drejtë vetëm brenda kufijve gjeografikisht të saktë, të cilët vendosen në bazë të së drejtës ndërkombëtare apo të marrëveshjeve dypalëshe mes vendeve të cilat kanë pretendime konkurruese. Zona ekonomike ekskluzive nuk duhet ngatërruar me të ashtuquajturat ujëra territoriale, që janë subjekt i sovranitetit të plotë të shteteve të cilave iu përkasin.

Rrethanat që bëjnë të jenë pjesë e Greqisë ishuj të shpërndarë në të gjithë Egjeun, disa prej të cilave shumë pranë brigjeve turke, ka prodhuar një aset të zonave ekonomike ekskluzive që Turqia i konsideron shumë penalizuese për interesat e saj. Nga këtu vijnë presionet të cilat qeveria turke ka nisur të aplikojë ndaj palës greke–dhe më parë akoma ndaj Republikës së Qipros – për të përfituar një korrigjim.

Në sfond, jo më pak e rëndësishme se kjo arsye, ekziston gjithsesi një arsye e dytë: qeveria aktuale turke vijon me një program ambicioz me sfond kombëtar që synon të riafirmojë statusin e fuqisë së madhe të vendit. Turqia dëshiron të ketë më shumë peshë, si në tokë ashtu dhe në det, dhe po përpiqet të zgjerohet më shumë duke u përballur me rezistencën natyrale të atyre që pësojnë, në këtë rast Greqia.

Me këtë synim, Erdogan po përdor pa hezitim të gjitha mjetet që ka në dispozicion. Provon terrenin me iniciativa provokuese dhe lëviz forcat e armatosura. Shfrytëzon ndër të tjera në maksimum pushtetin e kërcënimit që vjen nga hapja ndaj rusëve dhe kinezëve dhe pse është ende e ankoruar në Aleancën Atlantike.

Një rrethanë e tillë shpjegon vështirësitë e mëdha që ka hasur deri tani Evropa dhe NATO për të menaxhuar këtë situatë. Askush nuk do të bëjë hapa që mund të detyrojnë turqit që të braktisin përfundimisht perëndimin. Ndër të tjera Aleanca Atlantike nuk mund të rreshtohet hapur kundër një vendi anëtar.

Brenda Bashkimit Evropian, qëndrimet janë të qarta. Franca për shembull mbështet Greqinë në një mënyrë të hapur, në një moment që Gjermania është më neutrale dhe si pasojë e ekzistencës së një diaspore të rëndësishme turke në territorin e saj. Italia kërkon një linjë të mesme duke dërguar anije për manovra ushtarake si me grekët ashtu dhe me turqit.

Në të vërtetë asnjë nga palët e përfshira nuk dëshiron një luftë e cila do të ishte shkatërruese duke tërhequr në fushëbetejë vende që kanë mjete ushtarake të konsiderueshme.

Objektivi për palët mbetet ai i arritjes së një marrëveshjeje në një qëndrim force. Dhe për këtë arsye tensionet janë në rritje paralelisht me shqetësimin se një incident i vogël mund të nxjerrë situatën jashtë kontrollit.

Në këtë fazë, gjëja më e mirë për t’u bërë është një ofertë e ngjashme për grekët dhe turqit së bashku me garancinë se asnjë nga vendet nuk do të humbasë prestigjin. Mundësia ekziston: dhe pse nuk e pranon hapur për një çështje principi, Athina është e gatshme të sakrifikojë dhe për mundësinë e bashkëpunimit me Turqinë në një menaxhim të ardhshëm të burimeve dhe korridoreve energjitike që kalojnë nëpër Mesdheun Lindor.

NATO përpiqet të ndërmjetësojë, por ndoshta duhet një mbështetje më bindëse nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aktualisht të hutuara nga një fushatë elektorale nga më të ashprat në historinë amerikane. /abcnews.al