Një sulmues është kërkesa kryesore e Andrea Pirlos në merkato dhe Juventusi po negocion me Luis Suarez dhe Alvaro Morata. I pari pëlqehet shumë nga drejtuesit, teksa trajneri dëshiron sulmuesin e Atletico Madrid, me të cilin ka luajtur te bardhezinjtë në sezonin 2014/2015.
Gjithsesi, Josep Maria Bartomeu është gati të prishë planet e kampionëve të Italisë. Mediat spanjolle raportojnë se presidenti i Barcelonës i ka propozuar “Los Colchoneros” një shkëmbim midis Suarez dhe Moratës.
Bomberi uruguaian është drejt largimit nga skuadra katalanase, teksa pëlqehet shumë nga Diego Simeone, trajneri i Atleticos. Nga ana tjetër, Morata ka karakteristikat e duhura për futbollin që dëshiron të luajë trajneri Koeman.
Nëse dy klubet iberike ia dalin të finalizojnë këtë shkëmbim të bujshëm mes tyre, Juventusi duhet të shohë për alternativa të tjera për repartin ofensiv. /abcnews.al