Mbretëria e Bashkuar ka nënshkruar marrëveshjen e parë tregtare me Japoninë, pas largimit nga Bashkimi Europian (Brexit). Autoritetet thanë se marrëveshja e nënshkruar në parim ka vlerën e rreth 15 miliardë paund. Sekretarja britanike e Tregtisë Ndërkombëtare, Liz Truss, tha se ky është një “moment historik”.
Truss tha se marrëveshja do të sjellë “fitore të reja” për bizneset britanike. Sipas kritikëve, marrëveshja mund të ketë rëndësi simbolike, pasi ajo do të rrisë prodhimin e brendshëm bruto të Mbretërisë së Bashkuar me vetëm 0,07%.
Marrëveshja e së premtes ka ende nevojë për miratim nga Parlamenti i Japonisë. Truss ka deklaruar se marrëveshja midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Japonisë nënkupton që 99% e eksporteve në Japoni do të jenë pa tarifa.
“Marrëveshja që kemi negociuar, në kohë rekord dhe në rrethana sfiduese, siguron fitore të reja për bizneset britanike në industrinë tonë të madhe të prodhimit, ushqimit dhe pijeve, si dhe të teknologjisë”, tha Truss.
Mbretëria e Bashkuar ka dalë nga Bashkimi Europian në janar të këtij viti. Ndërkohë është ende në periudhën e tranzicionit, ajo po përpiqet të gjejë partnerë tregtarë për të zëvendësuar tregun e BE-së. s.ba/abcnews.al